Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë ku marrin shërbim fëmijët pa kujdes prindëror të grupmoshës nga 6-14 vjeç do të transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komuniteti. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Caci dhe drejtuesi i FSHZH-së, Dritan Agolli inspektoi punimet për rikonstruksionin e godinës e cila përfshin rehabilitim dhe zgjerim të ambienteve.
Ministrja theksoi se kjo qendër “nuk do të shërbejë vetëm si një qendër rezidenciale, është një qendër e cila tashmë me vizionin dhe më objektivat që qeveria shqiptare i ka vënë vetes ka marr përsipër ta transformojë jo vetëm në një qendër rezidenciale por dhe në një qendër që ofron shërbime me bazë komunitare”.
Koçiu vuri në dukje se qendra, si pjesë e reformës së deinstitucionalizimit, do të shërbejë si pikë referimi për kujdesin rezidencial e ditor, përgatitjen për jetesë të pavarur dhe zhvillimin e aftësive të fëmijëve në një mjedis më gjithëpërfshirës.
“Objektivi kryesor i qeverisë shqiptare është deinstitucionalizimi i fëmijëve që marrin shërbime në qendra rezidenciale duke i zhvendosur ato nga qëndrimi permanent në të tilla qendra dhe kalimi në familje të cilat ofrojnë kujdes të përhershëm pranë ambientit familjar”, theksoi ajo.
Më tej, ministrja Koçiu nënvizoi se “jemi duke punuar jo vetëm për të përmirësuar infrastrukturën e kësaj qendre, por edhe për ta kthyer në një model të ri që i shërben jo vetëm fëmijëve rezidentë, por edhe komunitetit përreth. E rëndësishme është që kryesisht familjet vulnerabël që kanë nevojë edhe për kualifikime të nevojshme për t’u integruar më pas edhe në jetë, edhe në mjediset sociale, është e nevojshme që të marrin dhe shërbime të tjera si edukative, sociale, shërbime edhe të aftësimit me njohuritë që tregu i punës kërkon me qëllim që të kenë mundësinë edhe të integrohen ashtu siç duhen”.
“Këtu afër kemi edhe një kopësht i cili funksionin për fëmijët e zonës dhe lidhja e këtij kopshti së bashku me këtë qendër që jemi duke rikonstruktuar do të bëjë të mundur që edhe fëmijët të bashkohen me njëri-tjetrin, të socializohen, të jetojnë në komunitet edhe pse jo patjetër, edhe fëmijët e tjerë të vijnë të marrin shërbime sociale, të argëtohen pasi këtu do të ketë edhe ambiente argëtuese dhe edukative”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Investimi në Shtëpinë e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e godinës, ambiente për mësim, art dhe zhvillim aftësish, kopësht edukativ, kënde lojërash dhe terrene sportive si dhe hapësira komunitare për kurse, trajnime dhe shërbime sociale.