Nga Mero Baze
Është rast i rrallë të shikosh kryeopozitarin e vendit, Sali Berisha, të dalë në mes të vapës duke vënë kujën se në Shqipëri ka falimentuar turizmi. Mund dhe të ndodhë që të ketë një fatkeqësi në ekonomi ndonjëherë, por lideri i opozitës duhet të dijë dhe si të vajtojë në këto raste. Ai dukej dhe i gëzuar gabimisht, dhe i nervozuar realisht për ato që thoshte.
Tani, me aq inat sa e ka ai turizmin, po qe se do kishte dështuar, duhet të ishte të paktën i qeshur dhe të dilte të thoshte se pa u kthyer unë në pushtet nuk ka turizëm. Kurse ai dukej i nervozuar pse ne të tjerët nuk e pranojmë që turizmi ka dështuar.
Po si t’i pranojmë dëshirat e tij për fakte?
Dje aeroporti i Rinasit ka përpunuar 51 mijë udhëtarë për 24 orë, një shifër që në kohën e Berishës kryeministër ishte në muaj. Pra, aq turistë sa Berisha sillte në një muaj, tani janë në një ditë. Ai nuk ka asnjë shifër për të justifikuar atë që ka dëshirë të ndodhë.
Turizmi ka një mijë probleme në Shqipëri derisa të zërë shtratin e vet dhe të kthehet në normalitet, por problemet ekzistojnë dhe po shfaqen pikërisht se turizmi është në kulmin e vet. Se po të ishin ata 50 mijë vetë në muaj të kohës së Berishës, nuk do kishte asnjë problem.
Shqetësimet e popullit turistik shqiptar që turistët harxhojnë pak, janë qesharake. Të gjithë turistët e kanë qëllim të harxhojnë pak. Dhe ne kur shkojmë për turizëm kemi qëllim të harxhojmë pak. Madje të harxhuarit pak është një nga motivet e shkuarjes në turizëm. Turistët nuk kanë pritur të vijnë në Shqipëri të pinë shampanjë apo Barbaresco. Kanë ardhur të shikojnë Shqipërinë, të shijojnë bukuritë natyrore të saj, pasuritë kulturore dhe natyrisht një nga natyrat më të bukura në Ballkan. Dhe janë tmerrësisht shumë.
Një politikan serioz në këtë rast del e bën kritika si mund të priten më mirë, si të rregullojë qeveria kuadrin ligjor që të lehtësojë operatorët turistikë, si të përmirësojë transportin publik, si të rrisë sigurinë dhe të zhdukë banditët nga industria e turizmit, sidomos e plazheve etj. Por ky vajtimi që Shqipëria nuk ka turistë në muajin dhe vitin më të mirë të historisë së saj është në minimum banalitet dhe një arsye pse këtë opozitë nuk e besojnë as të vetët dhe as vetë ata që flasin.
Turistët e huaj janë sot në çdo cep të Shqipërisë, në harmoninë e fshatrave të saj, dhe jo vetëm në bregdet.
Bregdeti nuk është destinacioni i vetëm i tyre. Çdo turist i huaj që vjen në Shqipëri ka një axhendë së paku javore që nis me Alpet dhe përfundon me Sarandën, duke prekur Shkodrën, Durrësin, Beratin, Vlorën dhe Sarandën. Të tjerë që kanë axhendë bujtinat shqiptare, i ke të gjithë në zonën juglindore dhe jugore në bujtina.
Shqipëria është në fazën që përjeton probleme nga superturizmi, jo nga mungesa e turizmit. Dhe problemet janë pa fund. Janë një listë objektivash për pushtetin që duhet t’i rregullojë. Dhe mes atyre problemeve është dhe dëshpërimi i kryeopozitarit pse ka kaq shumë turizëm. Këtë nuk di se si mund ta zgjidhë, por do jem dakord ta lejojnë të shkojë tek vila e sekuestruar në Lalëz ta shikojë që nuk është vetëm aty, por ka shumë herë më tepër se atëherë kur bënte një orë not dhe rrethohej vetëm nga familja e tij dhe Ilir Metës.