Protesta e 7 gushtit në Prishtinë, në mbështetje të udhëheqësve të UÇK-së që janë nën akuzë nga Gjykata Speciale për krimet e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vlerë kryesisht politike dhe jo gjyqësore. Ajo diferencoi shoqërinë aktuale të Kosovës në këtë moment në dy kampe: pro dhe kundër qeverisë, në emër të UÇK-së. Por, protesta nuk funksionon si një mekanizëm presioni mbi Gjykatën, edhe pse zemërimi ndaj saj është i ligjshëm.
Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara në Hagë u themeluan në vitin 2015, nën presionin dhe garancinë e Bashkimit Europian dhe të SHBA-së. Ato janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, por me mbikëqyrje dhe garanci ndërkombëtare. Kjo do të thotë se statusi i saj është më kompleks se një institucion i zakonshëm kosovar.
Edhe sikur kundërshtarët e saj sot të siguronin dy të tretat e votave në Kuvend, çka në fakt kërkon një koalicion të madh shqiptar përtej opozitës, çdo përpjekje për ta zhbërë në mënyrë të njëanshme do të shkaktonte humbjen e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën, një rrezik më i madh se vetë Gjykata Speciale.
E vetmja rrethanë lehtësuese në betejën politike kundër Gjykatës Speciale është prokurori Jack Smith, i cili sot ndodhet nën hetim në SHBA si prokuror special i presidentit Trump dhe njëkohësisht, ka një qasje emocionalisht të ngarkuar kundër udhëheqësve të UÇK-së. Kjo reflektohet në mënyrën se si ai ka pranuar prova të siguruara nga policia serbe kundër një ushtrie që ka luftuar për të mbrojtur shtëpitë e veta.
Kjo mund të zbehë mbështetjen amerikane për Gjykatën Speciale dhe të rrisë presionin që trupi gjykues të mos shfaqë të njëjtën ngarkesë me prokurorin.
Por mbi të gjitha, protesta ka vlerë politike brenda Kosovës. Ajo është përpjekje e opozitës për ta kthyer UÇK-në dhe mbrojtjen e vlerave të saj në fushëbetejë elektorale kundër Vetëvendosjes, duke synuar të identifikojë qeverinë e Albin Kurtit si kundërshtare të saj.
Në thelb, protesta është një përpjekje për të formuar një shumicë të re përtej partive politike kundër qeverisë, duke e akuzuar se ka braktisur ish-udhëheqësit e UÇK-së: nuk ka paguar avokatët për ta, u ka shërbyer akuzave të prokurorëve duke favorizuar shtyrjet e dënimeve dhe nuk ka dhënë garanci për t’u gjykuar në liri.
Ideja se Albin Kurti është në pushtet sepse Gjykata Speciale arrestoi drejtuesit e UÇK-së, me në krye presidentin Hashim Thaçi, është paranojë që funksionon si motiv politik në shoqërinë kosovare dhe si justifikim për opozitën tradicionale, duke përfshirë LDK-në dhe ish-udhëheqësit e saj si Isa Mustafa.
Kjo është arsyeja pse kjo protestë, më shumë sesa për Hashim Thaçin, është kundër Albin Kurtit./TEMA