Nga Dritan Hila
Në të vërtetë asnjë komedi nuk ka në tragjedinë e ukrainasve dhe rusëve. Qindra mijëra të rinj të vrarë, të gjymtuar e të sakatuar tashmë mbushin qytetet dhe varrezat e të dy vendeve. Çuditërisht, media, në vend se të na bënte më të prekshme luftën, e ka bërë të na ngjajë si një film ku personazhet ngjallen prapë. E mbase kjo e ka bërë që edhe komedia e protagonistëve që shfaqet si në një film të humorit të zi të vëllezërve Cohen, të ngjajë më e pranueshme.
Të rreshtuar në karrige përpara tavolinës së shefit të Shtëpisë së Bardhë, ku secili prej tyre kishte marrë nga një shpullë në deklaratat e Trump, Evropa nuk kishte asgjë të përbashkët me atë të 80 viteve më parë. Franca e përfaqësuar nga Macron, nuk ka asgjë të përbashkët me De Golin. 80 vite më parë, megjithëse e poshtëruar dhe pushtuar nga Gjermania, edhe pse një pjesë e saj bashkëpunoi me nazizmin madje anglezët ishin kujdesur të fundosnin flotën e saj, megjithëse figura të saj si Peten dhe Darlan kishin bashkëpunuar me armikun, aleatët i dhanë gjithë respektin e mundshëm Francës. Madje një tjetër amerikan me prejardhje gjermane, Ajzenhauer, që më vonë do të behej paraardhës i Trump, u kujdes që në Paris të futeshin të parët trupat e gjeneralit De Gol.
Kur gjermanet po nënshkruanin aktin e kapitullimit, feldmarshalli Jodl iu drejtua përfaqësuesit francez me ironi: Edhe ju na paskeni mundur ne?!
Por kjo nuk i pengoi amerikanët që Francën ta trajtonin si të barabartë duke qenë të vetëdijshëm se pavarësisht madhësisë apo kontributit të një vendi, respekti dhe besnikëria janë vlerat që çmohen.
Disa prej vendeve që përpara 80 vitesh ishin në kampe të kundërta, në Uashington ndodheshin në të njëjtën tryezë. Meloni përfaqësonte Italinë të cilën dikur aleatët u kujdesën që mos ta fusnin në një gijotinë me Gjermaninë. Pasardhësja e Musolinit gjendej në një krah me atë të Rusveltit. Ironi e fatit dhe tregues se aleancat gjithmonë janë fluide.
Pasardhësi i Denitz ishte aty ku përpara 80 vitesh asnjë nuk do ta mendonte: Në zyrën Ovale. Por gjeneralët e mundur gjermanë në momentet e kapitullimit pretendonin më shumë paritet dhe respekt se pasardhësit e tyre Mertz dhe Von der Leyen.
Për fat nuk mungonte Zhelenski, fati i popullit të së cilit ngjan aq shumë me atë të polakëve të luftës së dytë të cilët dhanë një kontribut të pashoq në tokë dhe ajër për të mbrojtur Britaninë dhe çliruar Italinë e që në fund iu dhanë në pjatë Stalinit. Vetëm se aktori i dikurshëm komik po luante aktin e fundit të një drame për popullin e tij pa qenë i ndërgjegjshëm për rolin. Por të paktën ndryshe nga polaket e dikurshëm, këtij i dhanë një karrige.
Natyrisht që mungonte pasardhësi i Stalinit, i cili edhe ai pavarësisht se do aq shumë që t’i ngjajë, më tepër është një surrogato e tij. Gjeneralët e Putinit kanë 3 vjet e gjysmë për të pushtuar aq tokë e fshatra, sa gjeneralët e gjeorgjianit avanconin në një ditë. E megjithatë ka gjithë admirimin e Trump. I cili nëse do kishte takuar ndonjëherë gjeorgjianin e frikshëm, me siguri do ishte ekzaltuar.
Dhe në fund mbreti i shfaqjes, Trump. Asnjë paraardhës i tij nuk do t’i trajtonte aleatët me aq mospërfillje dhe t’i bënte të pavlerë, pasi thënë shqip, më thuaj me kë rri të them se cili je. Trump u kujdes që në qendër të vëmendjes të ishin batutat e tij dhe jo problemet; shfaqja dhe jo thelbi. Më shumë sesa një zgjidhje për luftën, takimi i Uashingtonit ishte një tubim që të kujton se sot ata që udhëheqin kombet janë produkt i shout, i marrëdhënieve me publikun, i medias, i sipërfaqes dhe jo thelbit, i perceptimit publik dhe jo përmbajtjes. Dhe si të tillë e kanë vështirë të bëjnë zgjidhje të guximshme dhe afatgjata siç ishte ajo mes aleatëve në Luftën e Dytë, apo projekte si BE dhe NATO, të cilat i dhanë botës formë për 100 vitet që erdhën. Ajo qe mbetet të shpresojmë është që historia, ashtu si natyra, t’i gjejë vetë ekuilibrat e saj, me rrugë që shpeshherë janë të mistershme, sikurse janë punët e Zotit.