Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar se vendimet lidhur me sanksionet e mundshme kundër Rusisë mund të merren që gjatë ditës së sotme. Sipas tij, diskutimet janë në fazë të avancuar dhe pritet që rezultatet të bëhen të ditura brenda orëve në vijim.

Rubio tha se është në komunikim të ngushtë me përfaqësuesin e SHBA-së, Steve Witkoff, i cili sapo është kthyer nga një udhëtim në Rusi. “Do të ketë më shumë diskutime gjatë gjithë ditës,” shtoi ai, duke nënvizuar se konsultimet janë ende në proces.

Duke folur përpara gazetarëve, Rubio tha: “Shpresoj të njoftoj më vonë sot nëse sanksionet e mundshme kundër Rusisë do të hyjnë në fuqi këtë javë. Ndoshta do të kemi lajme pozitive, ndoshta jo.”

Deri tani nuk është bërë i ditur ndonjë detaj konkret mbi përmbajtjen ose objektivat e mundshëm të sanksioneve.