Policia e Mirditës ka vijuar me intensitet të lartë operacionin antikanabis të koduar “Koordinata”, i cili synon goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në zonat rurale të vendit.
Në kuadër të këtij operacioni, është identifikuar dhe goditur një tjetër rast, këtë herë në fshatin Shpërdhazë të njësisë administrative Kaçinar, ku u zbulua një parcelë me bimë të dyshuara cannabis sativa.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, si rezultat i kontrolleve në kuadër të planit operacional ‘Koordinata’, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike”. -thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit në zonën e thellë malore të Shpërdhazës, policia gjeti një parcelë me 42 bimë narkotike dhe arrestoi në flagrancë 59-vjeçarin F. B., banues në Kurbin, i cili dyshohet se ishte kujdesur për kultivimin e tyre.
“Autori i dyshuar, shtetasi F. B., 59 vjeç, banues në Kurbin, u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike”. -thuhet më tej në njoftim.
Sasia e bimëve të zbuluara u asgjësua në vendngjarje me anë të djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar tashmë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërkohë që operacioni “Koordinata” vijon pa ndërprerje në të gjithë territorin e vendit.