Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur në Llogara, ku 22 kuaj janë qëlluar me çifte. Si pasojë e të shtënave 4 kuaj kanë ngordhur dhe 2 janë plagosur. Disa prej kuajve kanë nevojë për trajtim veterinar, ndërsa pjesa tjetër është fshehur në pyjet e Karaburunit dhe ende s’janë gjetur.
Autorët mund të jenë gjahtarë të paligjshëm ose persona të përfshirë në konflikte për konkurrencë, ndërmjet guidave turistike. Policia ka nisur hetimet në lidhje me zbardhjen e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum referuan materiale në Prokurori dhe po punojnë për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi ditën e djeshme, shtetasi K. K., banues në Orikum, ka bërë kallëzim se në malin e Llogarasë, ku mban të lëshuar një tufë me kuaj, ka konstatuar se dy prej tyre kanë pësuar dëmtime, dyshohet nga armë gjahu.
Pjesa më e madhe e tufës së kafshëve qëndrojnë të lira në Llogara për t’i parë edhe turistët që vizitojnë këtë zonë. Sipas banorëve, ky nuk është rasti i parë që kafshët në këtë zonë goditen me armë.