Nga Mero Baze/
Vitin e kaluar, kur shumica në pushtet propozoi ngritjen e Komisionit të posaçëm “anti-korrupsion”, i njohur si “Komisioni Xhafa”, gjithë kritikat e opozitës, madje dhe një pjesë e institucioneve të drejtësisë, iu kundërvunë se ai do të zhbënte nenet represive të Kodit Penal, do të frenonte SPAK lidhur me praktikat abuzive kundër lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, duke pasur disa raste konkrete, si dhe do të shërbente për të futur drejtësinë nën kontroll të Edi Ramës për shkak të frikës së tij se drejtësia po përdorej si armë kundër ministrave të tij dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Të gjitha këto akuza janë publike dhe kanë qenë pjesë e parashikimeve që ka shoqëruar Komisionin “Xhafa”, i cili e mbylli punën bashkë me mandatin e Kuvendit të vjetër dhe nuk dihet a do ta rifillojë prapë në Kuvendin e ri.
Pra, paranoja kolektive ishte se Komisioni do të rekomandonte thjeshtim dhe qartësim të Kodit Penal për të frenuar stilin represiv, tendencat për përndjekje politike dhe krijimin e një gjendje pasigurie për nëpunësit e shtetit lidhur me interpretimin e klauzolës së “shpërdorimit të detyrës” apo rasteve të tjera.
Në të njëjtën kohë qeveria premtoi një Komision të së vërtetës, ku do të dëshmonin njerëz të hetuar nga prokuroria speciale, pra nga SPAK-u, lidhur me metodat e hetimit, kërcënimet “off record” të prokurorëve që kërcënonin personat nën hetim me burg, apo me lincimin e familjes duke u përmendur fëmijët gjatë hetimit, apo drejtimin e gishtit tregues nga qelitë e burgut 313, ngjitur me ndërtesën e SPAK-ut. Raste që disa dëshmitarë ia kanë atribuar, për shembull, prokurorit Olsi Dado. Disa prej tyre i ka bërë publik edhe kryeministri Edi Rama.
Pra, gjithë opozita ka qenë nën paranojën se Edi Rama po bënte një Kod liberal për të shpëtuar veten dhe, duke llogaritur refuzimin e SPAK-ut dhe të prokurorit të përgjithshëm për të marrë pjesë në këtë komision, po krijohej ideja se opozita po mbronte SPAK-un nga minimi i autoritetit të tij prej qeverisë, edhe pse vetë publikisht ishte armiku më i madh i SPAK-ut.
Tani, me bërjen publik të draftit tragjikomik të Kodit të ri Penal, që është një kombinim i mediokritetit, pafatësisë, ligësisë njerëzore dhe mbi të gjitha dëshirës për t’u shfaqur si zelltarë regjimorë, opozita me të drejtë është tërësisht kundër dhe akuzon qeverinë se po vendos diktaturën.
Në fakt, ky është pretendim i tepërt, sepse ai Kod nuk kalon kurrë nëse ne kemi ndërmend të shkojmë drejt Bashkimit Evropian, por sidoqoftë tregon dëshirat e zelltarëve të Edi Ramës se si e duan ata pushtetin gjyqësor.
Por, le t’i lëmë në të drejtën e tyre për ta kundërshtuar atë ashpër si gjithë ne të tjerët.
Puna është se opozita duhet ta ndajë tani se çfarë do: do Komisionin Xhafa, që kërkon të dalë me rekomandime për të reformuar politikën penale dhe aktet represive me tendencë politike që janë shfaqur, ku prokurorët e SPAK-ut nuk nisen nga çështjet, por nisen nga emrat dhe gjejnë problemet, apo do këtë Kodin e ri penal të Ulsiut.