Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rajon Kavajë-Durrës ka njoftuar këtë të martë arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë, Inspektor A. B., i cili shërben në detyrën e Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
“Më datë sot, rreth orës 05:40, Inspektori A. B. duke drejtuar një automjet tip “Audi” në rrugën “Egnatia”, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka përplasur disa automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme materiale.”-thuhet në njoftimin e AMP-së.
Në zbatim të procedurave të parashikuara, i është kërkuar të kryejë testin e alkoolit në organizëm, por ka refuzuar.
Në këto kushte, në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës është marrë mostrë gjaku për analizë.
Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.