Nga Mero Baze/
Fushata e kryeministrit Rama kundër disa vendimeve gjyqësore që prekin vendimmarrjen e qeverisë ka shkaktuar reagime dhe dyshime lidhur me të ardhmen e raporteve mes qeverisë dhe pushtetit gjyqësor. Reagimi më i ashpër ka ardhur nga një OJQ e gjyqtarëve, e cila e praktikon këtë sportin e reagimeve vetëm kur nuk reagon Berisha.
Por përtej partizanllëkut të tyre, debati i kryeministrit me gjyqësorin ka shumë rëndësi.
Ka rëndësi pikë së pari, pasi vetëm debati është mekanizmi që mund të korrigjojë raportet mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv kur pushtetet e tyre mbivendosen, siç është debati i vlerësimit të akteve zyrtare që lidhen me politikat e qeverisjes. Fjalë vjen, qeveria është votuar për një politikë të caktuar dhe vendos të zhvillojë politikat e saj, ndërsa gjyqësori ndërhyn dhe thotë: “ky koncesion nuk duhej bërë se nuk është në interes të publikut”, apo “ky projekt cenon sigurinë kombëtare”, apo “ky projekt nuk cenon interesin publik”, siç ishte ky i fundit.
Ky është debat që duhet bërë publikisht, por duhet ulur që pas debatit rregullat të shkruhen dhe të mos shndërrohet në debat të përjetshëm.
Në këtë aspekt nuk shikoj asnjë shqetësim nga prirja e kryeministrit që të debatojë për vendime gjyqësore që i mbivendosen politikave qeverisëse, pasi ai është votuar dhe është pushteti politik i vendit.
Nga ana tjetër, do të ishte e dëmshme që kryeministri të bëjë komente për vendime ndaj individëve apo çështjeve gjyqësore që prekin zyrtarë që janë nën akuzë për korrupsion apo shkelje të tjera. Kjo do të ishte presion mbi drejtësinë.
Këtë e bën rregullisht Sali Berisha, duke i sharë më libër shtëpie çdo prokuror apo gjyqtar që ka çështjet e tij dhe, çuditërisht, nuk konsiderohet presion mbi drejtësinë pasi nuk reagon njeri. Dhe kjo është një shenjë që këtu nuk ka shqetësim për pavarësinë e gjyqësorit, por për kufizimin e prirjes për të marrë pushtet politik prej drejtësisë.
Por e parë në perspektivën e vendit drejt Bashkimit Evropian, dhe zhvillimeve të fundit rreth hartimit të Kodit të ri Penal, ky debat është pozitiv pasi është në të kundërt të tendencës që ka Kodi Penal që të ndalojë të komentosh vendime të drejtësisë apo prokurorëve. Vetë Edi Rama po tregon se projekti i Kodit Penal, hartuar nga ministri Manja, nuk ka perspektivë, pasi nëse ai do ishte tani në fuqi, Edi Rama mund të dënohej me tre vjet burg për këto deklarata.
Për këtë arsye debati është edhe një shenjë pozitive rreth perspektivës së Kodit të ri Penal, i cili parashikon sanksione për sjellje të tilla.
Kjo i shton arsyet përse Edi Rama ka të drejtë ta bëjë këtë debat.
Ajo që do të më pëlqente më shumë është që Edi Rama, si kryeministër, të reagojë edhe kur gjyqtarët cenojnë të drejtat e njeriut të qytetarëve nën hetim apo gjykim nga prokuroria apo gjykatësit që kthehen në noterë të këtyre shkeljeve. Kjo do ta kompletonte betejën e tij, pasi ai nuk është vetëm roje i interesit publik apo shtetëror, por edhe i të drejtave themelore të qytetarëve.