Deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që lidhen me fatin e godinës ku operonte televizioni News 24. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Koçi tregon marrëdhënien e tij të gjatë dhe respektin ndaj këtij institucioni mediatik, duke e quajtur një mik të vjetër të tijin.
“Kam qenë dhe mbetem një mik i mirë i News 24. E kam vlerësuar përherë profesionalizmin e këtij stacioni televiziv informativ. Shumë prej gazetarëve ndër vite pranë kësaj mediaje i kam miq dhe kam respekt për formimin, interpretimin dhe etikën e tyre. Këtu përfshihen dhe shumë kryeredaktorë, drejtorë apo protagonistë të emisioneve më të rëndësishme të programeve të News 24”, shkruan Koçi.
Duke njohur faktin që edhe media në fjalë, si çdo institucion tjetër, ka linjën e vet editoriale, ai shton: “Sigurisht që dhe kjo medie ka politikën e vet editoriale apo diplomacinë e vet informative që ndikohet nga interesa të pronarit. Kjo ndodh në çdo medium në Shqipëri dhe në botë.”
Koçi rrëfen se ka qenë i pranishëm shpesh në studiot e News 24 edhe kur kolegë të tij socialistë nuk e frekuentonin për shkak të lidhjes së pronarit me një kompleks turistik dhe çështje ligjore që e shoqëronin atë.
“Unë kam shkuar te News 24 kur shumë kolegë të mi në PS nuk e bënin sepse ndoshta mendonin që ngjarjet me kompleksin turistik të pronarit mund të krijonin perceptimin e përkrahjes së biznesit në raport me zbatueshmërinë e ligjit. Unë nuk e kam pasur një paragjykim të tillë prandaj kam bujtur shpesh në studion e News 24”, vijon ai.
Lidhur me zhvillimet e fundit, deputeti shprehet: “Sigurisht që nuk do doja që të ndodhte ajo që sapo kemi parë këto dy ditë me fatin e godinës që përdorej nga News 24. Mendoj se kjo mund të shmangej. Por shmangia është një tango dypalëshe. Gjykoj se autoritetet e kanë bërë të tyren. Janë përpjekur ta zgjidhin prej kohësh dhe pa dëmtuar biznesin dhe natyrisht levrimin mediatik pa ndërprerje të News 24.”
Në fund, ai hedh një koment edhe për reagimin e Partisë Demokratike në këtë situatë: “Mesa duket dhe ky është një gjykim krejt personal pronari nuk e ka dashur shmangien e ushtrimit publik të ligjshmërisë. Edhe vrapi i PD për të bërë politikë ditë më shumë ndikon e shton mazohizmin sesa luftën për liri të medias dhe gazetarisë.”
Petro Koçi shprehet optimist për të ardhmen e medias në fjalë: “Jam i bindur që ky biznes do ta gjejë shpejt një zgjidhje të pavarur nga qiraja dhe News 24 do të vazhdojë protagonizmin e vet.”