Sipërmarrësi Behgjet Pacolli ka reaguar pas aludimeve mediatike që erdhën për shkak të një vizite të tij të papritur në Kryeministri ku takoi shefin e qeverisë, Edi Rama.

Në media u pretendua se Pacollit po i bëjnë presion për t’i marrë aeroportin e Vlorës, por biznesmeni i njohur i rrëzon këto pretendime. Pacolli thotë se artikulli është i pavërtetë dhe se “aeroporti tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional, Mabco ka nisur procesin e riorganizimit të brendshëm, që lidhet vetëm me menaxhimin normal”.

Reagimi i Pacollit:

Është e padrejtë të krijohen histori me insinuata. Artikulli i gazetës Kapitali është po aq i shtrembëruar sa edhe i padrejtë.

Unë, së bashku me drejtorin e kompanisë Mabco, koncesionare shumicë e Aeroportit të Vlorës, kemi qenë në Kryeministri thjesht për një vizitë kortezie, ku informuam për ecurinë e punimeve në aeroportin e Vlorës.

Nuk është aspak e vërtetë, as korrekte, të thuhet se ka pasur ndonjë presion apo kërkesë për t’u përfshirë qeveria, ashtu siç raportojnë disa media.

Në fakt, duke qenë se aeroporti tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional, Mabco ka nisur procesin e riorganizimit të brendshëm, që lidhet vetëm me menaxhimin normal.

Duke marrë shkas nga leximi me i thellë i një shkrimi në media, dua të konfirmoj që puna për përfundimin e aeroportit të Vlorës po ecën përpara me sukses dhe me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare! Ne mezi presim që ta përfundojmë aeroportin në afat për ti dhënë Shqipërisë dhe bregdetit të saj të bukur dhe një destinacion tjetër. Vendimet e aksionerit te VIA nuk janë asgjë tjetër përveçse procedura rutinë që kanë të bëjnë me procese normale qe kane lidhje me garancine ndaj institucioneve financiare për mos transferimin e kuotave sa kohe qe kreditë e marra apo që do merren në lidhje me zhvillimin e aeroportit nuk janë shlyer.