Operacioni ‘Koordinata’ ka çuar në zbulimin e 1987 bimëve kanabis të kultivuara në qarkun e Shkodrës. Konkretisht, në Postribë u asgjësuan 186 bimë kanabis, ndërsa 1801 të tjerat në Vaun e Dejës.
Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se 3 kryepleq u vunë në hetim për shpërdorim detyre, ndërsa kultivuesit ende nuk janë identifikuar.
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Në territorin e njësive administrative Gur i Zi dhe Postribë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 186 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Shpor, shtetasin M. C., për kryetarin e fshatit Ura e Shtrenjt, shtetasin R. M., dhe për kryetarin e fshatit Vilez, shtetasin F. L.
Në territorin e njësisë administrative Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 1801 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa”, njoftoi Policia e Shkodrës.