Në një apel drejtuar qytetarëve, Policia e Shtetit njoftoi se ka nisur një hetim dhe kërkon të tregohet kujdes duke mos u përfshirë në platforma të dyshimta online në të cilat kërkohet të investohen shuma të ndryshme parash, me premtimin se për pak kohë do të kenë fitime të menjëhershme.

Denoncimet e shumta në rrjetet sociale sollën edhe një reagim të detajuar të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Ky autoritet sqaron se platforma e vetëquajtur TXEX, prezantohet për investime në kriptovaluta, por qartazi mbart tiparet e një skeme mashtruese digjitale. Ajo nuk është e regjistruar apo licencuar në Shqipëri dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar.

Personat që fshihen pas këtyre skemave të mashtrimit, hapin grupe në Telegram, ËhatsApp dhe Signal ku kushdo mund të bëhet anëtar. Për të hedhur karremin, ata shfaqin fitime të fabrikuara për të krijuar besueshmëri tek qytetarët.

“Viktimave u kërkohen pagesa shtesë me pretekste të ndryshme, si verifikim apo tërheqje fondesh, si dhe dërgimi i dokumenteve personale, çka përbën rrezik të madh për vjedhjen e identitetit digjital”, thotë Autoriteti për Sigurinë Kibernetike, i cili u bën thirrje qytetarëve t’i qëndrojnë larg kësaj platforme.

Për të mos humbur kursimet e tyre, Autoriteti për Sigurinë Kibernetike insiston që të mos bëhen transaksione financiare me theksin se asnjë platformë e ligjshme nuk kërkon pagesa shtesë apo të dhëna personale për tërheqjen e fondeve.

Platforma të tilla u denoncuan publikisht së fundmi nga deputeti socialist Erjon Braçe, sipas të cilit, organizatorët kishin vënë në shënjestër Divjakën, banorët e së cilës e sigurojnë bukën e gojës përmes bujqësisë.

“Punë e krahut, djersë e ballit”, thotë një banor.

“Ne s’merremi, ne kemi telefon të thjeshtë, jam këtu, eci me shëndet e mbyllet me kaq”, shprehet një tjetër.

“Kemi dëgjuar, kaq, asgjë tjetër”.

“Nuk i njoh”.

“Unë s’i kuptoj fare këto, s’marr vesh çfarë janë nuk jemi në dijeni, s’i kam qejf këto gjëra”.

Deri më tani, asnjë denoncim nuk është kryer në Policinë e Shtetit.

Platforma TXEX përdor:
• Reklama joshëse në Instagram, TikTok
• Krijon grupe në Telegram, WhatsApp, Signal
• Prezanton fitime të fabrikuara
• Pagesa shtesë për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”
• Mbledh dokumente sensitive (ID, foto)