Përfaqësues të politikës i dhanë lamtumirën gazetarit Artur Zheji. Deputeti socialist Arben Pëllumbi tha se Zheji përfaqësonte një figurë të rëndësishme në gazetari e të mendimit të lirë të këtij vendi.
“Ditë e trishtuar për ne miqtë e Turit, por edhe për shtypin e median shqiptare. Përfaqësonte figurë mjaft të rëndësishme në gazetari, televizion, të mendimit të lirë të këtij vendi”, tha Pëllumbi.
Ministri Blendi Gonxhja tha se ikja e Zhejit ishte parakohshme.
“E njoh Zhejin si gazetar dhe si publicist. Me siguri pas Zhejit që kemi parë në ekrane, ka qenë një Zhej akoma më artist, më krijues dhe do jepte shumë më tepër në vitet që do vinin, por fatkeqësisht për komunitetin artdashësve dhe gazetarin, jeta është shumë e ashpër në këto ngjarje që janë kaq të papritura. Nuk dimë si ta ngushëllojmë familjen, botën që ai përfaqëson dhe që la. Ikje shumë e parakohshme”, tha Gonxhja.
Kreu i PD, Sali Berisha tha se Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij.
“Erdha të shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe nderimin tim të thellë për Artur Zhejin, një personalitet i mirënjohur i gazetarisë me një eksperiencë të gjatë, i analizës, publicistikës, botimeve. Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij, në të cilat edhe po të mos ishe dakord me pikëpamjen, mënyrën civile të servirjes dhe të shtruar të mbrojtjes që ai bënte, do ta respektoje patjetër. Me këtë rast shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve, shokëve dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij, shpirti i Artur Zhejit të gjejë paqen e merituar”, tha Berisha.
Sekretari i përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi tha se kjo është një humbje e madhe.
“Në emër të PL, të presidentit Meta, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zheji, komunitetit të gazetarëve për këtë humbje të madhe. Ishte një nga mediet e ndritura të kombit shqiptar, patriot që luftoi jo vetëm në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së medias, por edhe parimeve të shtetit të së drejtës. Dua të kujtoj kontributin e tij si bashkë kryetar i komitetit për mbrojtjen e kushtetutës, mbrojtjen e ligjit themeltar nga ato ndryshime falsë së cilave sot kemi një regjim autoritar. Shoqëria jonë është më e mpakur me humbjen e këtij intelektuali, kontributi i ty cilit do të nderohet dhe kujtohet me respekt”, tha Blushi.