Nga Ylli Pata
Aventurat e profesor Pilinçit që shëtit me eskortën e tij alla amerikanë nga veriu në jug, kanë mbushur verën e portalet pas 11 majit “boring” të këtij viti.
Në rrjete, nuk kanë vonuar edhe mënyra e sertë e reagimit të disa nga personazheve politikë apo edhe mediatikë, ndaj atmosferës argëtuese që po përhap profja nga Nju Xhersi.
Dikush e tall keq, dikush tjetër, e fton në duel nga një tjetër qytet i SHBA, duke e sharë para e mbrapa, sikur të jetë në barin e lagjes.
Ka shumë arsye për të menduar se rrëfenjat verore të profesorit që nuk dihet se ku e ka marrë atë titull, janë paksa si “të leshta”.
Megjithatë, fakt është se në politikën shqiptaret nuk kanë munguar njerëzit e “leshtë”, qoftë ata më argëtues, të butë apo të qetë, e deri tek të rrezikshëm që kanë bërë hatanë, live kryesisht.
Ka qenë njëri, i cili mbante postin më të lartë të shtetit, i cili hyri në një zyrë në qendër të Tiranës e u bërtiste sa kishte në kokë disa punonjësve të bashkisë së kryqytetit, ku i nxori jashte me shkelma.
Pak më vonë, atmosfera ndryshoi dhe kishim ose poezi të recituara si në fillore, ose hipje në paralele e hekura nëpër qoshet e Tiranës.
Por sërish, kjo nuk është qamet, pasi në Parlamentin e Shqipërisë ka plasur koburja në mes të ditës.
Ndërkohë që grushti, rripi, shqelmat, vazot, tavolinat, kanë qenë refren i jetës politike për vite e vite.
Një vit më parë, përpara Parlamentit të Shqipërisë, një drejtues i lartë i opozitës kryesore, pasi kishte nxjerrë me shokët e tij të gjitha karriket e deputetëve, nxorri nga xhepi një shishe të vogël plastike me benzinë, i leu ato, mori një letër, e ndezi me çakmak dhe u vuri zjarrin poltronave të përfaqësuesve të popullit.
Ndërkaq, sharja, bllokimi i foltores, gjuajtja me çizme, bërtitja me zë koke, pa radhë e rend, është refren që sipas gjasave do të rinisë nga shtatori.
Atmosferë që transferohet thuajse njëkohësisht nga Parlamenti në studio e darkës dhe natyrisht në gazeta e portale. Ku argumenti për të sulmuar kundërshtarin përveç hajdut e kriminel, është mik i hajdutit e kriminelit, i shitur te hajduti e krimineli, e te tjera si këto.
Kjo frymë, mbi të gjitha, pasi ka edhe arsye të tjera, kanë bërë që njerëzit normalë në këtë vend, apo ata që kanë dy pare mend në kokë, e më shumë se dy parë shkollë në jetë, të rrijnë larg këtij “pavioni 17” siç është politika shqiptare.
Ku sipas specifikimeve mund të gjesh apo mund të trillosh të gjesh, zhanret e ndryshme të diapazonit të gjerë të sëmundjeve mendore.
Deri nga fillimi i viteve 2000, në mediat shqiptare ishte si sport kombëtar intervistimi apo këshillimi me mjekët e njohur të mëndve të kokës, për të shkëputur ndonjë emër politikani, nga regjistri i madh i kartelave të tyre historike.
Shpesh, mjekët shfrenonin fantazinë e kultivuar në mjedise surreale të “foleve të qyqeve”, frustrimin e tyre për ndonjë pakënaqësi pragmatiste dhe nxirrnin ndonjë “rikoshetë” çka shërbente si material bombastik për gazetat bulevardeske.
Kjo shkërmoqje e betimit të Hipokratit me ndonjë gotë para, nuk u mor asnjëherë vesh nëse ishte e vërtetë. Po fakt është se një farë kohe, nisën të publikohen kartela apo fake kartela nga “spitali i bekuar”.
Palët politike ziheshin se kush ka më shumë njerëz me “kartelë” në kupolën drejtuese. Përveç fjalëve direkte, përdoreshin dhe “kode” bajate alla turni i tretë dhe njerëzit që ndiqnin, zinin hundët përgjithësisht kur shikonin debat politik.
Por më pas ndodhi seç ndodhi. Nuk kishte më sharje apo akuza se kush është më shumë i shkarë. Thjesht kishte personazhe që zunë ekranet dhe ja shkelën pa asnjë fre gojës.
Qoftë ca që konsiderohen si “investigative”, qoftë ca të tjerë si “analistë politikë apo ushtarakë”, qoftë ca të tjerë që analizojnë në figura gjeometrike të përkthyera, duke bombarduar arritjet më të mëdha të këtij qytetërimi, siç janë zbulimet shkencore dhe nxjerrë nga goja “mrekulli” për tokë të sheshtë, cikllopë, ufo që bëjnë festë nëpër qoshet e Tiranës, apo kabala që symbyllurazi zgjidh luftrat më të komplikuara të botës.
Mjafton të hapësh ekranin dhe shpërthejnë “analistet” me skype nga Tirana e Prishtina që parashikojnë fundin e botës, shajnë me libër shpie, apo qajnë me oi kur dikush i thotë se matanë ndodhet dikush që ai sapo kishte pirë kafe para se të futej në studio.
E gjithë kjo dalldi që është bërë rregull tashmë, nuk mund të përjashtohet nga aventurat verore të profesor Pëllumbit. i cili, krahasuar me të gjithë është shumë më argëtues…/TEMA