Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka dalë në mbështetje të protestës së paralajmëruar në Kosovë që do të mbahet më 7 gusht në orën 17:00. Protesta e lajmëruar nga organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, siç njoftojnë ata synon të kundërshtojë padrejtësisë e Gjykatës Speciale.
Por siç thekson më tej Mustafa, nënvizon se shëndeti jo i mirë nuk ia mundëson daljen e tij në shesh për të protestuar.
“…veteranët e luftës meritojnë solidarizim dhe përkrahje nga të gjithë për një kauzë të drejtë! Një kërkesë paqësore për drejtësi të mirëfilltë! Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, kemi qenë kundërshtarë politik. Kemi garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh”, shprehet Mustafa, në postimin e tij në Facebook.
Më tej thekson se është detyrë e gjithëve që të mbrojnë vlerat e luftës, dhe të mos lejohet rishkrimi i historisë me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë.
“Shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të drejtuar nga Presidenti Rugova dhe i luftës së UÇK-së. Është vlerë e përbashkët”, tha Mustafa.
Më tej, ai shprehet se në kohën kur është themeluar Gjykata Speciale, kanë pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare.
“Ne kemi pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë me ligje të Kosovës. Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe”.
“Gjykata u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime. Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesorë të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha më tej ish-kryeministri.
Në fund rithekson se veteranët e luftës meritojnë solidarizim dhe përkrahje nga të gjithë për një kauzë të drejtë.