Ambasada ruse në Beograd deklaroi se për situatën në Serbi zgjidhja e vetme është “dialogu në fushën e së drejtës”, siç theksoi, “sipas rregullave serbe”.

Në një postim në Telegram, Ambasada ruse theksoi se “vëren” se vëmendja e saj e kushtuar situatës në Serbi “kohët e fundit nuk ka kaluar pa u vënë re”, pa sqaruar për çfarë bëhet fjalë.

“Sipas mendimit tonë, kjo do të thotë vetëm një gjë, vlerësimet tona pasqyrojnë me saktësi, korrektësi, përgjegjësi dhe me qëllime të mira realitetin”, njoftoi Ambasada ruse, por po ashtu nuk sqaroi se për cilat vlerësime bëhet fjalë.

Kremlini veçse i ka dhënë mbështetje autoriteteve në Beograd, të cilat përballen me protesta antiqeveritare që po zgjasin që disa muaj, teksa demonstruesit po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Zyrtarët rusë përsërisin pohimet e autoriteteve serbe se protestat përbëjnë të ashtuquajturën “revolucion me ngjyra”, një term që i referohet kryengritjeve në ish-republikat sovjetike kundër regjimeve autoritare.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha më herët gjatë gushtit se “disa forca në Serbi, nën mbulesën e sloganeve për ‘kërkimin e drejtësisë dhe demokracisë’, nuk hezitojnë të përdorin agresion të hapur, barbarizëm dhe dhunë”, ndërsa ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harcenko, javën e kaluar deklaroi se Perëndimi dëshiron të zëvendësojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçqç, me një politikan të dobët që kontrollohet nga Bashkimi Evropian.

Kjo deklaratë e ambasadorit rus ka nxitur kritika nga opozita në Serbi, e cila e ka vlerësuar si ndërhyrje në çështjet e brendshme të shtetit. Ambasada ruse në Beograd në njoftimin e fundit theksoi se “as nuk mund të flitet për ndonjë ‘ndërhyrje’ nga ana jonë në çështjet e brendshme të Serbisë” dhe se “Rusia, përgjatë historisë, ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme dhe të palëkundur sovranitetin, pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të Serbisë, si dhe lirinë e popullit serb”.

“Ne nuk dyshojmë se ekziston vetëm një rrugë, dhe ajo është dialogu në fushën e së drejtës. Sipas rregullave serbe. Për Serbinë. Për popullin e saj”, tha Ambasada ruse në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ditëve të fundit ka bërë dy herë thirrje për dialog me protestuesit. Thirrjen e dytë ai e bëri gjatë një interviste për Euronews Serbia të hënën, ku gjithashtu deklaroi se anëtarësimi i Serbisë në BE mbetet prioriteti i tij.

Ambasada ruse shtoi se “vërejmë se dhuna është ende në arsenalin e tyre”, pa sqaruar për kë e ka fjalën. Protestat që zgjasin disa muaj në Serbi, të cilat nisën me kërkesën për llogaridhënie për shkak të vdekjes së 16 personave gjatë shembjes së strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar, gjatë verës u karakterizuan nga përgjigja e dhunshme e policisë, por edhe pjesëmarrjes së përkrahësve të Partisë Progresive Serbe në pushtet, të cilët gjatë tubimeve ishin të pajisur me shkopinj dhe kanë hedhur mjete piroteknike ndaj kundërshtarëve të pushtetit./REL