Nga Mero Baze/

Sali Berisha i ka ofruar formalisht dhe tre deputetë të tjerë Ilir Metës në Kuvend që të formojë një grup parlamentar, i cili ka disa privilegje më tepër financiare dhe administrative. Përveç këtyre, ajo që ka më shumë rëndësi për Ilir Metën është që partia e tij të ketë logon si parti me grup parlamentar.

Lëshimin e parë të madh e bëri përpara zgjedhjeve kur futi katër deputetë të Partisë së Lirisë në listë të sigurt, ndërkohë që e gjithë partia në Tiranë – e cila identifikohet me Ilir Metën – mori vetëm 7 mijë vota.

Në pamje të parë ngjan si sakrificë ekstreme, por Berisha e ka të qartë pse e bën sakrificën.

Të gjitha lëshimet u bënë pasi Ilir Meta u burgos paraprakisht nga SPAK, me një procedurë e cila ngjan gjahu për shtriga për shkak të qasjes politike që aplikon SPAK për të bërë paraburgime të balancuara politikisht.

Dhe meqë nga shumica në pushtet e kishte tejkaluar planin, nga opozita – duke arrestuar Ilir Metën – rrëzoi gjithë planin e opozitës. Në një farë mënyre Ilir Meta shkoi në paraburgim dhe mbahet ende në paraburgim, ndonëse është dorëzuar dosja për gjykim, si “bedel” për Sali Berishën dhe familjen e tij që po mbeten të paprekur.

Procedurat që u zbatuan për Berishën dhe dhëndrin e tij, që u mbajtën jashtë burgut – dhe që në fakt janë korrekte – nuk u aplikuan në rastin e Ilir Metës.

Ish-presidenti i vendit po mbahet në burg për një çështje për korrupsion që ka përfunduar tek lobimet e gruas së tij për një kushëri të vetin, për t’u favorizuar në një biznes telekomunikacioni.

Dhe ky është momenti kur Berishës i është bërë dy herë nder nga SPAK. E para, që i është hequr nga loja Ilir Meta si aktor, duke u burgosur, dhe e dyta, duke i dhënë mundësi Berishës ta kompensojë atë me deputetë kukulla apo numra fals, që të jetë thjesht një bamirës politik.

Realisht, Partia e Lirisë ka vdekur politikisht. Ajo nuk prodhon dot asnjë mandat. Dhe kjo është një siguri më shumë për Berishën që nuk e ka më nëpër këmbë. Thjesht ai do ta përcjellë me respekt në pensionin politik, duke bërë sikur e respekton në Kuvend dhe sikur i ofron deputetë për ta mbajtur si kufomë politike.

Faktorët e tjerë opozitarë që morën rreth 200 mijë vota, Berisha jo vetëm që nuk i afron, por i lufton politikisht, sepse janë faktorë realë.

Ilir Metën bën sikur e afron pasi e di që nuk ekziston dhe i heq paranojën që ai po bën burg në vend të tij dhe djalit të tij, i cili as hetohet për Gërdecin, as për grabitjen e pronave në çdo cep të bregdetit të Shqipërisë.

Duke dërguar Ilir Metën “bedel” për gjithë mëkatet e opozitës, Berisha është gati t’ia ruajë si muze partinë derisa të dalë nga burgu, duke i falur mandate reale dhe formale në Kuvend. Mjafton që të mos kujtohet që po sakrifikohet për të./TEMA