Qindra detarë, përfshirë shumë indianë, po përballen me braktisje të dhimbshme në anije tregtare nëpër botë, pa ushqim, paga apo ndihmë. Raste si ai i Manas Kumarit në Ukrainë dhe Amitabh Chaudhary në Arabinë Saudite tregojnë një krizë globale në industrinë detare. Shumë prej tyre janë viktima të sistemit të flamujve të lirë dhe mungesës së mbikëqyrjes. Pavarësisht premtimeve, zgjidhjet vonojnë. Ata kërkojnë vetëm një gjë: të kthehen të sigurt në shtëpi.
BBC
Manas Kumar është braktisur në një anije mallrash në ujërat e Ukrainës që nga muaji prill.
Detari indian ishte pjesë e një ekuipazhi prej 14 vetash që po transportonin kokoshka drejt Turqisë nga Moldavia, kur anija u ndalua më 18 prill, ndërsa lundronte përgjatë lumit Danub që e ndan Ukrainën nga Rumania.
Autoritetet ukrainase e akuzuan anijen, e quajtur Anka, se ishte pjesë e asaj që ata e quajnë “flota hije” e Rusisë – një rrjet anijesh që, sipas tyre, përdoret për të shitur drithëra të vjedhura nga Ukraina në vende të treta.
Por Kumar, i cili është oficeri kryesor i anijes Anka, tha se ajo lundron nën flamurin e Tanzanisë dhe menaxhohet nga një kompani turke.
Megjithatë, pronësia e saktë e anijes mbetet e paqartë, sipas dokumenteve që i ka ekuipazhi, i përbërë nga vetë Kumari, pesë shtetas të tjerë indianë, dy azerbajxhanas dhe gjashtë egjiptianë.
Të gjithë ndodhen ende në bord, pesë muaj më vonë – pavarësisht se autoritetet ukrainase i kanë informuar se janë të lirë të largohen pasi nuk janë nën hetim, tha Kumar.
Problemi qëndron në faktin se nëse ata zbresin nga anija, e humbasin të drejtën për t’I marrë pagat e tyre – të cilat, sipas një baze të dhënash të përbashkët të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), arrinin në rreth 102.828 dollarë deri në muajin qershor.
BBC-ja ka kontaktuar me menaxherët dhe pronarët e anijes përmes të dhënave që i ka siguruar nga ekuipazhi.
Kumar thotë se ekuipazhi nuk kishte asnjë dijeni për të kaluarën e dyshimtë të anijes kur e morën punën. Tani që janë të bllokuar në një situatë përtej çdo kontrolli të tyre, ata kërkojnë një zgjidhje të shpejtë.
Sipas tij, pronarët dhe zyrtarët indianë të sektorit detar vazhdojnë t’u premtojnë çdo ditë se çështja do të zgjidhet së shpejti, por deri tani nuk ka pasur asgjë konkrete.
“Kjo është një zonë lufte. E vetmja gjë që duam është të kthehemi në shtëpi sa më parë”, i tha ai BBC-së.
“Detarë të braktisur”
India është vendi i dytë më i madh në botë për sa i përket furnizimit me detarë dhe ekuipazh për anijet tregtare.
Por ajo gjithashtu renditet e para në listën e detarëve të njohur si “detarë të braktisur” – një term që përdoret në Konventën e Punës Detare të vitit 2006 për ta përshkruar situatën kur pronarët e anijeve shkëpusin çdo marrëdhënie me ekuipazhin dhe nuk kujdesen më për kthimin e tyre në atdhe, furnizimet e përditshme apo pagesën e rrogave.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Transportit (ITF), që i përfaqëson detarët në mbarë botën, gjatë vitit 2024 ishin gjithsej 3.133 detarë të braktisur në 312 anije, ku 899 prej tyre ishin shtetas indianë.
Për shumë prej këtyre detarëve, largimi nga anija pa i marrë pagat nuk është një opsion, veçanërisht nëse ata kanë paguar shuma të mëdha përmes agjentëve për ta siguruar punën apo për t’i marrë certifikatat e trajnimit, thotë për BBC-në, Mohammad Gulam Ansari, një ish-detar që tani ndihmon në kthimin në atdhe të detarëve indianë të mbetur në pjesë të ndryshme të botës.
Sipas ITF-së, arsyeja më e madhe për këto braktisje është praktika e përhapur e regjistrimit të anijeve në vende me rregulla të dobëta për industrinë detare, e njohur si “flamuj të lirë”.
Rregullat ndërkombëtare detare lejojnë që një anije të regjistrohet ose ta mbajë flamurin në një vend ndryshe nga ai i pronarëve të saj.
“Një vend mund të krijojë një regjistër anijesh dhe të vendosë tarifa për pronarët, ndërkohë që aplikon standarde të ulëta për sigurinë dhe mirëqenien e ekuipazhit dhe shpesh nuk arrin t’i përmbushë detyrimet e një shteti flamurtar të vërtetë”, thuhet në faqen e internetit të ITF-së.
Ky sistem, sipas këtij grupi, gjithashtu e fsheh identitetin e pronarit të vërtetë të anijes, duke ndihmuar kështu pronarët me qëllime të dyshimta t’i përdorin anijet për qëllime të fshehta.
Të dhënat e ITF-së tregojnë se në vitin 2024, rreth 90% e anijeve të braktisura lundronin nën flamuj të lirë.
Por ndërlikimet lindin edhe për shkak të natyrës së globalizuar të industrisë detare, ku pronarët, menaxherët, flamujt dhe ekuipazhi i anijeve shpesh vijnë nga vende të ndryshme, sipas vëzhguesve të industrisë.
Më 9 janar 2025, kapiteni Amitabh Chaudhary po e drejtonte një anije mallrash nga Iraku për në Emiratet e Bashkuara Arabe, kur moti i keq e detyroi të bënte një devijim të lehtë.
Vetëm pak minuta më vonë, anija Stratos, që lundronte nën flamurin e Tanzanisë, goditi shkëmbinj në fund të detit dhe e dëmtoi rezervuarin që mbante naftë, duke e detyruar të ndalonte pranë portit Jubail në Arabinë Saudite.
Ekuipazhi – përfshirë nëntë shtetas indianë dhe një irakian, bëri disa përpjekje për ta lëvizur sërish anijen, por dështoi.
Të bllokuar, ata qëndruan aty duke pritur ndihmë për gati gjashtë muaj, derisa anija u zhvendos nga vendi.
Ndërkohë, pronari irakian i anijes refuzoi t’i paguante pagat e tyre, duke i përmendur humbjet që i kishte pësuar për shkak të ndalesës së anijes, tregoi Chaudhary për BBC-në.
BBC-ja i ka kontaktuar pronarët e anijes për një reagim lidhur me këto akuza, por ata nuk kanë dhënë përgjigje.
Kush është fajtor?
Detarët shpesh e fajësojnë rregullatorin detar të Indisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Detar (DG Shipping), që është përgjegjëse për verifikimin e kredencialeve të anijeve, pronarëve dhe agjencive të rekrutimit – për mungesë kontrolli dhe vëmendjeje ndaj palëve të përfshira. DG Shipping nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Të tjerë, megjithatë, theksojnë se edhe vetë ekuipazhi duhet të jetë më vigjilent.
“Kur rekrutohesh, ke mjaftueshëm kohë për të informuar DG Shipping për çdo paqartësi në kontratën tënde”, tha Sushil Deorukhkar, një përfaqësues i ITF-së që punon për mirëqenien e detarëve. “Pasi t’i nënshkruash dokumentet, ngec dhe duhet të trokasësh në çdo derë për të gjetur një zgjidhje”.
Situatat mund të bëhen të ndërlikuara edhe për ekuipazhin e anijeve me pronarë indianë që operojnë brenda ujërave të Indisë, për arsye të ndryshme.
Kapiten Prabjeet Singh ishte i punësuar në anijen Nirvana, një cisternë nafte me pronar indian, e regjistruar në Curacao, së bashku me 22 detarë të tjerë indianë. Anija i ishte shitur kohët e fundit një pronari të ri, i cili kishte për qëllim ta çmontonte, por kishte mosmarrëveshje për pagat midis pronarit të vjetër dhe të ri.
Në fillim të prillit, Singh po e drejtonte anijen drejt një porti në shtetin perëndimor të Indisë, Gujarat, për çmontim, kur një gjykatë indiane urdhëroi sekuestrimin e saj për “mosshlyerje të pagave të ekuipazhit”, sipas bazës së të dhënave të përbashkët të ILO-s dhe IMO-s.
Brenda pak ditësh, ekuipazhi e kuptoi se ishin braktisur, tregoi Singh. “Nuk kishim ushqim të mjaftueshëm apo furnizime. Anijes i kishte mbaruar karburanti dhe ishim në errësirë të plotë”, tha ai për BBC-në. “U detyruam të thyenim dhe digjnim dru nga pjesët e anijes për të gatuar”.
I punësuar në tetor 2024, Singh kishte shpresuar të fitonte ndershmërisht nga kjo punë, dhe për këtë arsye largimi nga anija pa e marrë pagën nuk ishte zgjidhje për të.
Ekuipazhi më në fund u lejua të zbresë më 7 korrik, pas një marrëveshjeje të urdhëruar nga gjykata. Megjithatë, pagat e tyre nuk janë paguar ende, sipas bazës së të dhënave të ILO-IMO.
Në Gjirin Persik, ekuipazhi i anijes Stratos thotë se frika më e madhe e tyre ishte se vrima në fund të anijes do ta fundosë atë.
Por sfida më e menjëhershme për ta ishte uria.
“Për ditë të tëra, hanim vetëm oriz ose patate, sepse nuk kishim furnizime të tjera”, tha Chaudhary për BBC-në.
Pas gati gjashtë muajsh, ekuipazhi më në fund arriti ta zhvendosë anijen, por aksidenti e kishte dëmtuar timonin, duke e bërë të papërshtatshme për ta vazhduar lundrimin.
Ata janë ende në anije duke pritur që t’u paguhen rrogat.
“Jemi ende në të njëjtin vend dhe në të njëjtën situatë. Mendja ka pushuar së funksionuari, nuk dimë më çfarë të bëjmë”, tha Chaudhary.
“A mund të na ndihmojë dikush? Thjesht duam të kthehemi në shtëpi dhe t’i takojmë njerëzit tanë të dashur”.