Një ngjarje e rëndë me vrasjen e një 14 vjeçari tronditi dje Maliqin dhe opinionin publik. Erald Xhejo u godit me thikë dhe si pasojë gjeti vdekjen e menjëhershme.
14-vjeçari dhe bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri kanë pasur prej një viti përplasje me njëri-tjetrin për arsye krejtësisht banale, replika të njëpasnjëshme të tipit “pse më shikon” dhe “pse më shan”.
Ditën e djeshme ata u takuan në fshatin Pirg me qëllimin e supozuar për t’u sqaruar. Të dyja palët kanë qenë të shoqëruar me shokët e tyre të cilët pas veprimeve hetimore u arrestuan për veprën penale moskallëzim i krimit dhe veprime që pengojnë të vërtetën.
Ishte 14-vjeçari Enedio Guri ai i cili qëlloi dy herë bashkëmoshatarin e tij duke i marrë kështu edhe jetën.
Policia e Maliqit më herët bëri me dije se përpos autorit të kësaj ngjarje u arrestua edhe babai i tij, Edison Guri si dhe xhaxhai i të miturit, Ronald Guri, pasi fshehën thikën me të cilën i mituri qëlloi dy herë 14-vjeçarin.
Gjithashtu, në pranga ra edhe 34-vjeçari Flori Çela pasi sipas policisë tentoi që të largojë me automjetin e tij të miturin.