Nga Ylli Pata
Tani me mbarimin e numërimit të votave të 11 majit është e qartë më shumë panorama elektorale në vend. Partia Socialiste mori një numër më të madh deputetësh-83, por jo numër më të madh votash në rang kombëtar apo në qarqe të caktuara. PS-ja në vende të caktuara, kryesisht në Fier, Vlorë, Shkodër e Elbasan ka rritje votash, ndërkohë që në Tiranë ka marrë më pak se 4 vjet më parë.
Krahasuar me zgjedhjet vendore të 2023-shit, ka një ndryshim pasi ato vota që kanë shkuar për kandidatët e PD-së së Lulzim Bashës që në atë kohë kishte vulën, u përfshinë në një pjesë në konfigurimin zyrtar aktual, prat ë PD-së së Berishës.
Megjithatë, fuqia potenciale e kësaj vote nuk është aspak politike, pasi në realitet nuk ka ndodhur bashkimi i demokratëve, por përçarja më e madhe. Mobilizimi i disa strukturave për inerci, ndodhi sepse pala tjetër pra grupi i Lulzim Bashës u përça në disa pjesë dhe kjo e çoorientoi edhe më shumë fushën opozitare.
Por në fund, deputetët që mori PD-ja ishin më pak se 4 vjet më parë, e ajo që është më e rëndësishmja i dhanë mundësinë PS-së që të marrë një shumicë shumë afër asaj absolutes së 84 vota.
E gjitha kjo nuk ka ndodhur rastësisht, pasi është pasojë politike, qoftë e kaosit që ka shkaktuar vetë Sali berisha me organizimin e brendshëm, pore dhe mungesa e karizmës politike të përfaqësuesve.
Kjo është pjesë e analizës së tërësisë së shkaqeve që përfshijnë PD-në e Sali Berishës. Për të cilën është folur shpesh, por këtu çështja është tek grupi që trazoi opozitën pas 8 janarit 2022. Duke braktisur Lulzim Bashën e bashkuar me Berishën. Ai grup, realisht nuk ka një fuqi politike, nuk ka personalitet politik për të marë vota, apo elektorat me të cilin është në aleancë. Përveç ndonjë zëri të lidhur në territory si për shembull Dash Sula, të tjerët e grupit të deputetëve nuk se e kanë këtë fuqi.
Këtë e dinte shumë mirë Berisha, ndaj ka hapur lojën e goditjes përpara përcaktimit të posteve në parti e grup parlamentar. Ku nuk ka mundësi për të ndjekur një meritokraci elektorale, pasi thuajse të gjithë kanë deficensë në territory. Ndaj do të përdorë metrin e vjetër të luajalitetit në një anë, e të aleancave me grupe të caktuara të interesit në anën tjetër./TEMA