Pavarësisht se Putin kishte sjellë limuzinën e tij “Aurus” dhe ajo u pa në pistë pranë aeroplanëve, presidenti rus hipi në limuzinën presidenciale amerikane, të njohur si “Bisha”.
Presidenti Vladimir Putin i është bashkuar presidentit Donald Trump në limuzinën presidenciale teksa të dy u larguan nga pista e aeroportit për t’u drejtuar drejt takimit të tyre.
Ky veprim është i pazakontë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një kundërshtar. Kur Trump kërkoi që diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, t’i bashkohej në makinë gjatë takimit të tyre në Singapor në vitin 2018, këshilltarët e tij e bindën të mos e bënte.
Por tani është një epokë tjetër për Trump, me këshilltarë dhe objektiva të ndryshëm. Dhe, megjithëse takimi i tyre ballë për ballë është zgjeruar për të përfshirë edhe këshilltarët, fakti që ndanë të njëjtën makinë tregon se Trump dhe Putin do të kenë gjithsesi një moment vetëm për vete — edhe nëse është vetëm një udhëtim i shkurtër me makinë.