Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka vlerësuar si “heroikë” ushtarët koreanoveriorë të dërguar për të luftuar në Ukrainë, sipas një letre drejtuar udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, të publikuar nga media shtetërore koreano-veriore.

Letra, e cila u dërgua me rastin e përvjetorit të çlirimit të Koresë nga sundimi kolonial japonez, përkujtonte bashkëpunimin historik mes Ushtrisë së Kuqe Sovjetike dhe forcave koreanoveriore për të ndalur pushtimin japonez.

Putin theksonte se lidhjet e “miqësisë militante, vullnetit të mirë dhe ndihmës së ndërsjellë”, të krijuara gjatë asaj lufte, mbeten të forta edhe sot.

“Ky solidaritet u dëshmua plotësisht nga pjesëmarrja heroike e ushtarëve të Koresë së Veriut në çlirimin e rajonit të Kurskut nga pushtuesit ukrainas”, thuhej në letrën e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, duke përdorur emrin zyrtar të Koresë së Veriut.

Në fillim të këtij viti, forcat ruse zhvilluan një kundërofensivë për të zhdukur praninë ukrainase në rajonin e Kurskut, një zonë ku forcat e Kievit kishin vendosur pozicione gjatë vitit 2024.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Koresë së Veriut janë forcuar ndjeshëm kohët e fundit. Të dy vendet nënshkruan një pakt mbrojtjeje të ndërsjellë vitin e kaluar gjatë vizitës së Putin në Phenian.

Agjencitë e inteligjencës nga Koreja e Jugut dhe vendet perëndimore raportojnë se më shumë se 10,000 ushtarë koreanoveriorë janë dërguar në rajonin rus të Kurskut, së bashku me municione artilerie, raketa dhe sisteme të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Sipas Seulit, rreth 600 prej tyre janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në betejat përkrah ushtrisë ruse.

Po ashtu, Putini ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kim Jong Un të martën, ku, sipas zyrtarëve rusë, e informoi atë për takimin e planifikuara me Presidentin amerikan Donald Trump, që pritet të zhvillohet sot në Alaskë.