Një 55-vjeçar u vu nën hetim nga policia e Vlorës pasi dyshohet se qëlloi me armë gjahu mbi një tufë me kuaj në zonën e Parkut Kombëtar të Llogorasë.
Policia njoftoi sot se është proceduar penalisht S.M, banues në Orikum, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.
Sipas policisë nga të shtënat kishte mbetur i dëmtuar vetëm një kalë.
“Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, ku në territorin e parkut të Llogorasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46 vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55 vjeç, banues në Orikum”, njoftoi policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M.