Qeveria shqiptare ka çelur zyrtarisht skemat e investimeve në sektorin bujqësor, duke ofruar mbështetje financiare, deri në 50% të vlerës së investimit për fermerët që aplikojnë në njërën prej nëntë masave prioritare të shpallura nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi se skema mbulon një gamë të gjerë investimesh, që përfshijnë:
Ndërtimin e serrave me sipërfaqe minimale 0,2 hektarë;
Mbjellje të reja me pemë frutore, ullinj, agrume dhe vreshta në sipërfaqe jo më pak se 0,5 hektarë;
Rrjeta antibreshër për sipërfaqe mbi 1 hektar;
Sistem ujitjeje me pika për toka mbi 1 hektar;
Ndërtim ambientesh për mbarështimin e kafshëve dhe shpendëve;
Mbështetje për mekanikë bujqësore dhe blegtorale;
Linja, makineri dhe pajisje për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e produkteve bujqësore dhe agroindustriale;
Investime në prodhimin dhe përpunimin e verës dhe vajit të ullirit;
Mbështetje për zhvillimin e agroturizmit.
AZHBR njofton se afati për aplikim është i hapur deri më 30 shtator 2025.
Për fermerët që nuk kanë mundësi financiare për të përballuar pjesën e tyre të investimit, është krijuar mundësia për të përfituar kredi të butë me interes vetëm 2%. Për më tepër, deri në 70% të kolateralit të kërkuar nga banka do të mbulohet nga shteti.
“Për të gjithë ata fermerë që nuk kanë kapitalin fillestar për të përmbushur 50% të investimit, qeveria ka lancuar edhe skemën e kredive të buta me interes të ulët dhe mbështetje për kolateralin”, u shpreh për mediet Vullnet Gjolla, drejtor i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB) në Korçë.
Zyrat rajonale të AREB në të gjithë vendin janë të hapura për të ofruar asistencë dhe informacion për aplikimin, ndërkohë që dosjet dorëzohen pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Tiranë.
Skema e investimeve në sektorin bujqësor, është një mundësi konkrete për të rritur kapacitetet prodhuese të fermerëve, për të nxitur inovacionin në bujqësi dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura në zonat rurale.