Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka miratuar planin e Forcave të Mbrojtjes Izraelite për të pushtuar Qytetin e Gazës. Vendimi konfirmohet nga ky institucion për agjencinë AFP. Në funksion të këtij vendimi, Katz gjithashtu miratoi thirrjen e rreth 60,000 rezervistëve. Gazeta Times of Israel raportoi dje, duke cituar burime sigurie, se rreth 60,000 rezervistë izraelitë do të thirren duke filluar nga kjo javë, përpara ofensivës së re të Forcave të Mbrojtjes Izraelite në Qytetin e Gazës, me kusht miratimin e ministrit.
Sa i takon marrëveshjes për armëpushimin, Izraeli vazhdon të kërkojë lirimin e “të gjithë pengjeve” të mbajtura në Gaza. Këtë e tha një burim qeveritar për AFP të martën, pas një propozimi të ri nga ndërmjetësuesit për një armëpushim në territoret palestineze që do të përfshinte kthimin e këtyre të burgosurve në dy faza. Pas më shumë se 22 muajsh lufte, lëvizja islamiste palestineze njoftoi të hënën se ka pranuar propozimin e ndërmjetësuesve – Egjiptit, Katarit dhe Shteteve të Bashkuara – për një armëpushim 60-ditor të shoqëruar me lirimin e pengjeve në dy faza.
“Izraeli nuk e ka ndryshuar politikën e tij dhe vazhdon të kërkojë lirimin e të gjithë pengjeve, në përputhje me parimet e vendosura nga qeveria për t’i dhënë fund luftës”, deklaroi burimi qeveritar izraelit.