Kryeministri Edi Rama ka ndarë së fundmi pamje të një shkolle të re në Kamëz, duke e cilësuar atë si një prej modeleve më të mira të investimeve në arsimin shqiptar.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehu krenarinë për transformimin e infrastrukturës arsimore në vend, duke theksuar se shkollat e gjeneratës së re ofrojnë kushte të krahasueshme me ato më të mirat në Europë.
Objekti i ri arsimor, projektuar nga studioja vendase e arkitekturës “CommonSense” dhe që mban emrin e Angela Merkel, vjen si pjesë e një nisme më të gjerë për rindërtimin e shkollave dhe kopshteve, të mbështetur nga qeveria shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me Bashkinë Kamëz.
“Krenar për shkollat e gjeneratës së re që kemi ndërtuar me ngulm në këto vite, duke u krijuar faktikisht nxënësve e mësuesve kushte të njëjta si në shkollat më të bukura të Europës.
Kjo shkollë e projektuar nga “CommonSense”, një studio arkitektektësh lokalë të rinj e plot talent, të cilët janë rritur shumë falë edhe bashkëpunimit me arkitektët e shquar ndërkombëtarë e që mban emrin e Angela Merkel në respekt të mbështetjes që kancelarja dha pas tërmetit, është një xhevahir arkitektonik në kurorën shembullore të dhjetëra shkollave e kopshteve të rilindura në Kamëz nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me mbështetjen e qeverisë shqiptare e në bashkëpunim të ngushtë me kryebashkiakun shembullor Rakip Sul”, ka shkruar kryeministri Rama.