Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale ndaj bizneseve që ushtrojnë aktivitet në rrugë pa leje, konkretisht lidhur me lavazhet.
Në një postim, Rama thekson se kjo mënyrë punë nuk mund të vazhdojë më dhe kërkon që ata që kanë tokën e tyre të marrin leje për njësi shërbimi të rregullta, jo për “lavazh në rrugë”.

“Çuna, respekte po e kuptoni edhe vetë që nuk ecën më kjo punë kështu apo jo Turi? Prandaj hiqini vetë këto që mos merrni edhe gjobë”, shkruan kryeministri, duke paralajmëruar se nëse nuk ka tokë në pronësi, hapësirat do të transformohen në zona të gjelbra me pemë, stola dhe lodra për fëmijët.

Postimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama :

Çuna, respekte po e kuptoni edhe vetë që nuk ecën më kjo punë kështu apo jo Turi?
Prandaj hiqini vetë këto që mos merrni edhe gjobë dhe po e patët tokën tuaj, merrni leje për një njësi shërbimi normale brenda rregullave jo për lavazh në rrugë – e deri atëherë toka do rri bosh dhe pastër në shërbim të komunitetit. Po s’e patët tokën tuaj, në këto hapësira do mbillen përfundimisht pemë e do vihen stola apo lodra për fëmijët.