Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e tij vjetor për të drejtat e njeriut, përfshirë dhe Shqipërinë për vitin 2024, ku theksohet se gjatë vitit të kaluar nuk janë shënuar ndryshime të rëndësishme në këtë fushë.
Sipas raportit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa të besueshëm për identifikimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut. Megjithatë, problemi i arrestimeve dhe paraburgimeve të zgjatura pa akuza mbetet shqetësues.
Organizata të pavarura si Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit kanë evidentuar se periudha e gjatë e paraburgimit para gjykimit vazhdon të jetë një problem i vazhdueshëm. Ligji parashikon që hetimet paraprake të përfundojnë brenda tre muajsh, me mundësi zgjatjeje nga prokurori, ndërsa paraburgimi nuk duhet të zgjasë më shumë se tre vjet. Megjithatë, mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe burimet e kufizuara, kanë vonuar procedurat penale.
Raporti vëren se sistemi gjyqësor është i penguar nga menaxhimi i dobët, mungesa e hapësirës dhe mungesa e avokatëve dhe dëshmitarëve në seanca, duke ndikuar në vonesa të gjykimeve.
“Ligji dhe kushtetuta ndalonin arrestimin dhe ndalimin arbitrar dhe parashikonin të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose ndalimit të tij në gjykatë. Qeveria në përgjithësi i respektoi këto kërkesa. Ligji kërkon që shumica e hetimeve paraprake të përfundojnë brenda tre muajsh, por prokurori ka të drejtë të zgjasë këtë periudhë. Paraburgimi nuk duhet të zgjasë më shumë se tre vjet. Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB), nuk është raportuar asnjë rast ku personat të jenë mbajtur përtej afateve të parashikuara me ligj.
Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve vonoi procedurat penale. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, menaxhimi i dobët i kalendarit gjyqësor, stafi i pamjaftueshëm dhe mosparaqitja e avokatëve dhe dëshmitarëve gjithashtu e penguan sistemin gjyqësor të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Sipas DPB-së, procesi i verifikimit të sistemit të drejtësisë e përkeqësoi situatën dhe çoi në vende të lira në gjykata dhe prokurori”, theksohet në raport.
Në fushën e mbrojtjes së refugjatëve, në raport shkruhet se Shqipëria ka bashkëpunuar me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare për të siguruar ndihmë dhe mbrojtje për refugjatët, azilkërkuesit dhe personat e kthyer, duke monitoruar dhe përkrahur procesin e integrimit të tyre.