Nga Simon Hadaj/
Gazetarja Sonila Meço pyeste sot në një postim të saj se kush është ‘redaktori’?
Dikur ishte njeriu që vendoste çfarë ishte me rëndësi për publikun, ndërsa, sot, shkruan Meço, këtë rol e ka marrë algoritmi, një kod i padukshëm që përcakton se çfarë shitet si lajm dhe çfarë jo. Dhe kështu, diplomacia shndërrohet në show, liderët botërorë në aktorë, ndërsa publiku në konsumator të spektaklit.
Por në provincën tonë, ku gjithçka është më e thjeshtë, nuk kemi nevojë për algoritëm të koduar, sepse ne kemi një figurë shumë më tokësore, që s’ka shumë nevojë për pyetje të vështira.
Në këtë batakun tonë mediatik, brenda një pellgu plot gjarpërinj e ngjala ku peshkon edhe Sonila dhe të tjerë të së njëjtës racë gazetarësh, redaktori, autori, ideatori, regjizori, skenografi, pagatori, analisti, opinionisti, kryetari, sekretari, shefi, korruptuesi… është Xeni.
Ai është “algoritmi” tokësor. Një njeri që bën edhe zgjedhjen, edhe paketimin, edhe shpërndarjen e lajmit. Ai është si një aplikacion i vetëm që i ka të gjitha: Facebook-un për “like”, TikTok-un për spektaklin dhe WhatsApp-in për shpërndarjen e lajmeve.
Por, siç e do çdo hierarki, mbi Xenin qëndron gjithmonë dikush tjetër: Zarfi.
I bekuari dhe i mallkuari, i miri dhe i keqi, i lavdishmi Zarfi…, por gjithmonë me para të vjedhura. Nëse Xeni është algoritmi që përcakton renditjen e lajmeve, Zarfi është serveri ku ruhen të gjitha “të dhënat”. Një kujtesë e pakufijshme, e financuar me llogari që asnjë auditim nuk i prek.
Dhe pastaj vjen pyetja e Meços: po ideatori?
Në teori, duhet të ishe ti, gazetarja, intelektualja, qytetarja që ngre një ide, por në praktikë, këtu gjithçka ideon Xeni. Revolucionet, protestat, skandalet, manifestet…, të gjitha vijnë me logo “Made by Xeni” dhe me shenjën e garancisë së Zarfit.
Në Perëndim, siç shkruan Meço, spektakli ende bashkëjeton me institucione që ruajnë një minimum ekuilibri. Tek ne, spektakli është vetë institucioni. Dhe algoritmi? Nuk ka nevojë për të. Sepse, këtu gjithçka filtrohet nga një ‘redaktor’ i vetëm: Xeni, dhe i dashuri i Sonilës, i bekuari Zarf i trashë, shkruar me bojë të kuqe gjaku 21 Janari, vulosur me baltë Gërdeci, mbyllur me tutkall proletar, ngjitur me pështymë intelektuale./TEMA