Një nga defektet më të mëdha që ka sot për sot kombi ynë Shqipëria mbetet doza e shtuar e mendimit kritik dhe mungesa e filozofisë.
Le të jemi të qartë në një pikë: mendimi kritik prodhon opinionistë që duan s’duan do të përplasen te politika, te njëri prej domeneve të ligjërimit dhe njëra pasojë e mjerimit dhe dëshirës për ndryshim.
Filozofia është mendimi dhe pikësëpari, pa qenë dhe shumë moralist, për mendim kemi nevojë, edhe kur mendimi i aplikohet shkencave por edhe ideologjisë, madje dhe mediave.
“Republika e Platonit”, nga Alain Badiou, në shqip nga Elvis Hoxha dhe botuar nga Pika Pa Sipërfaqe, është një prej shembujve tipikë të “të mësuarit me mendu”.
Alain Badiou, filozofi i famshëm francez, në moshë të thyer merr me guxim mendimin dhe mundimin për të rishkruar nga e para “Republikën” emblematike të Platonit dhe ta vendosë në ditët tona. Aty kemi dhe një personazh vajzë, Amantën.
Përse kjo ekzigjencë (kërkesë) e mirëfilltë e logosit (edhe atij shqiptar)? Sepse në Shqipëri, pikësëpari, bërtitet shumë dhe flitet pak, ka humbur (nëse ka ekzistuar ndonjëherë) një traditë e të folurit nëpër sallone apo logut të burrave. Ndokush do më përqeshë me cinizmin e zellshëm se s’mund të krahasohet logu i burrave me sallonet franceze alla Verdurin që jep Prusti.
Në fakt logjika “e simpoziumit” është e njëjta, por është paragjykimi klasor ai që fiton peshë mbi opinionin, dhe këtë paragjykim klasor, me shtimin e shpejtë të bilionerëve, shmangien e Bernie Sanders nga demokratët dhe fitoren e Trumpit, këtë paragjykim Badiou e vë në pikëpyetje vazhdimisht derisa e vë në krizë.
Badiou është një riformatues shpirtrash dhe leximi i Republikës së tij të shkruar me mjeshtëri dhe stil është një lexim i domosdoshëm, do të thoja që në gjimnaz për njerëz që duan të hapin botë për veten dhe të tjerët, ndoshta një ditë, pse jo, të ndryshojnë diçka në Shqipëri.