Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në qytetin e Durrësit po vijon procesi i çlirimit të hapësirave publike, si pjesë e nismës “Rilindja Urbane 2.0”.
Sipas tij, ky projekt synon përmirësimin e cilësisë së jetës komunitare dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytetet e mëdha, duke vendosur një balancë të qartë mes të drejtës së qytetarëve për lëvizje të lirë dhe interesave ekonomike të bizneseve private, gjithmonë në respekt të interesit të përbashkët.
“Edhe në Durrës vazhdon çlirimi i hapësirave publike, për t’i hapur rrugën Rilindjes Urbane 2.0 që do të rrisë cilësinë e jetës komunitare dhe përmasën e gjelbër të qyteteve tona të mëdha, ku do të rivendoset qartë kufiri mes lirisë publike për të lëvizur e marrë frymë lirisht dhe të drejtës për aktivitet ekonomik të subjekteve private, gjithnjë në respekt të komunitetit”, ka shkruar Rama.