Lewis Hamilton nuk po kalon ditët e tij më të mira në Formula 1. 40-vjeçari vendosi që të largohej nga Mercedes dhe këtë sezon të garonte me Ferrarin, teksa rezultatet e tij në pistën e garave janë një zhgënjim për shtatë herë kampionin e botës dhe ekipin e ‘Kokëkuqes’.
Në një bisedë për ‘Dazn Spain’, Fred Vasseur, drejtori i Ferrarit, tha se si ai dhe Hamilton e nënvlerësuan faktin e përshtatjes së tij në një ambient të ri.
“E nënvlerësuam sfidën që e priste Lewis në fillim të sezonit. Ai kaloi 10 vjet me McLaren dhe 10 të tjera me Mercedes. Le të themi se ka qenë një karrierë 20-vjeçare në mjedisin e Mercedes dhe ndryshimi i gjithë kësaj nuk është i lehtë. Unë dhe Lewis nënvlerësuam se çfarë domethënie kishte ky ndryshim, nga kultura te njerëzit”, tregoi ai.
Pavarësisht mungesës së rezultateve të menjëhershme, Vasseur theksoi përfshirjen e Hamiltonit dhe lidhjen e tij me Charles Leclerc, duke nënvizuar qëndrimin e tyre profesional në një vit me presion të lartë.
“Në këtë lloj sezoni, kur ka kaq shumë pritshmëri dhe pastaj kalon nëpër një periudhë të vështirë, është shumë e lehtë të dorëzohesh. Por Leclerc nuk e bëri kurrë këtë. Ai gjithmonë e shtyu veten deri në limit, duke mbështetur ekipin dhe kishte një partneritet të shkëlqyer me Lewis.
Unë ende dua të fitoj gara këtë vit. Projekti 2026 është një sfidë e madhe dhe të gjithë duhet të jemi në të njëjtën anë për ta menaxhuar atë. Por ndërkohë, duhet të shfrytëzojmë sa më shumë atë që kemi.
Ferrari është vendi ku e ekspozon veten më shumë, por nëse mund të fitosh në Formula 1, është fantastike… ta bësh këtë me Ferrarin është veçanërisht tërheqëse. Kjo sfidë është e pabesueshme”, përfundoi ai.
Formula 1 rikthehet me Çmimin e Madh të Holandës më 31 gusht në cirkuitin e “Zandvoort”. Këtë sezon është McLaren me Oscar Piastrin dhe Lando Norris që kryesojnë kampionatin.