Ish-deputeti Myslim Murrizi ka shpërthyer ndaj demokratëve, që tani po kritikojnë lidershipin e Partisë Demokratike, pasi sipas tij, këta të fundit kanë heshtur në mbledhje të të djathtëve
Murrizi ka shpërndarë në rrjetet sociale një pjesë të fjalës së tij në Këshillin Kombëtar në 2022 për zgjedhjen e kryesisë së PD-së, ku sipas tij, askush tjetër nuk foli.
Ai i drejtohet demokratëve si Ilir Alimehmeti, Fisnik Qosja, Kreshnik Çollaku, për të cilët thonë se heshtnin në mbledhje dhe tani flasin në ‘facebook’ e portale.
“Shumë mirë bëni që kërkoni analizën e zgjedhjeve të 11 majit. Shumë mirë bëni që kërkoni riorganizim rrënjësor të PD-së duke filluar nga seksioni deri në kryesinë qendrore. Shumë mirë bëni që kërkoni hapjen e PD dhe legalizimin e fraksioneve apo mendimit ndryshe. Shumë mirë bëni që kërkoni dorëheqjen e kujtdo që nuk ka justifikuar me rezultat besimin që i dhanë strukturat e PD për të qenë drejtues politik. Shumë mirë bëni që i kërkoni Berishës të ndryshojë nga pozicionet drejtuese Nokën, Vokshin, Palokën, Bylykbashin, Boçin e te tjerë
Shumë mire bëni që kërkoni votëbesim për Berishën si kryetar të PD-së. Por, një pyetje kam për të gjithë ju. Në forumet ku bëni pjesë, pse nuk flisni asnjëherë në çdo mbledhje për shumë probleme që ka pasur dhe ka PD. Pse heshtni nëpër mbledhje dhe cicëroni nëpër FB, media e portale??? Pse rrini si guhak në çdo debat në këshillin kombëtar? Pse qeshni fallco e duartrokisni kot në mënyre hipokrite çdo propozim, rezolutë, vendim apo fjalim të Berishës, Nokës, Vokshit, Palokës etj?? Pse nuk folët asnjë fjalë kur u zgjodh kryesia në qershor 2022 për këta individë që flisni sot??”
Murrizi përmend edhe Primaret në shkurt 2023, të cilat i cilëson pa vlera, ku “23 vemje u përjashtuan nga si të privilegjuar”. Kritikon po ashtu, koalicionin me LSI e PDIU në zgjedhje.
“Pse nuk folët fare më 12 mars 2025 në këshillin kombëtar për listat e kandidateve për deputet të PD, për drejtuesit politik dhe njerëz pa kontribute e jashtë PD që u futën në listat e mbyllura të PD si pasojë e pazareve të pista??? Pse nuk belbëzuat asnjë fjale për koalicionin mizerabël me LSI, PDIU, qe jo vetëm nuk solli asnjë votë tek PD por i dhanë ngarkese negative duke i vjedhur demokratëve 5 mandate LSI me 8000 vota dhe 1 mandat PDIU me 1500 vota??
Pse heshtet në këtë kohë kur patë që në listat e PD u përfshinë individë ordinerë apo llumhane që në shumicën dërrmuese kanë qenë kundërshtar të PD dhe të anatemuar nga vetë PD si element të botës së trafiqeve???
Pse nuk folët asnjë fjale gjatë fushatës për orientimin e votës drejt 2-3 kandidateve dhe lobimet e pamoralshme që u bënë nga ata që ju kërkoni sot me të drejtë që të japin dorëheqjet ose të hiqen nga pozicionet drejtuese që mbajnë në PD se nuk vlejnë asnjë grosh???? Nuk po zgjatem me se do me duhet një natë dimri të rendis problemet që ju të nderuar duhet të flisnit në kohën dhe vendin e duhur që të ishit sot realist në atë që ju shoh se shprehni ne media apo fb për riorganizimin e PD”.
Ish-deputeti ironizon, kur thotë se shumë demokratë do të ndryshojnë qëndrim në shtator, kur të mblidhet Kuvendi i ri.
“Ndaj a ka mundësi në këtë muaj gushti të na lini rehat mos na çani trapin si parimor se kismet në shtator do mblidhemi prapë e kam hall se do duartrokisni e do ekzaltoheni nga fjalimet bombastike revolucionare të disa idiotëve politik që në çdo mbledhje flasin për fitore e suksese ne degët që ata mendër drejtojnë për t’u bërë qejfin Berishës, Nokës, Palokës, Vokshit, Bylykbashit, Boçit etj
Se Bardhi Gjekmarkaj, Tabaku dhe grupi i tyre që erdhi me ‘kontratë’ të qartë në Rithemelim nuk kanë nevojë për askënd që t’ju bej qejfin se bëjnë qejf vetë, duke sharë 3 vjet me rrënjë e degë demokratët dhe vitin e fundit para zgjedhjeve vijnë për t’u bërë deputet me një kod zgjedhor bastard që e votojnë së bashku me Ramën vetëm për karriget e tyre”.