Kryeministri Edi Rama ka ndarë një tjetër moment krenarie për Shqipërinë, duke publikuar në rrjetet sociale një reportazh të realizuar nga RTL Radio, një prej mediave më të njohura në Evropë, ku vendi ynë promovohet si një nga destinacionet më tërheqëse për pushimet verore.

“Shqipëria nga Alpet në Rivierë, një udhëtim që të mbetet në zemër. RTL Radio në serinë e saj për destinacionet e pushimeve në Europë ka ndaluar në Shqipëri – “xhevahiri ballkanik” që po kthehet nga një sekret, në destinacion qendror të hartës turistike europiane. Nga Alpet e Shqipërisë, deri në Dhërmi, Ksamil e Himarë, duke kaluar përmes Parkut Kombëtar të Vjosës dhe qyteteve UNESCO si Gjirokastra e Berati, kjo guidë e plotë u ofrohet pushuesve europianë për pushimet e tyre në Shqipërinë tone”, ka shkruar kryeministri Rama në Facebook, duke cituar përshkrimin e radios gjermane që e cilëson Shqipërinë si “xhevahiri ballkanik” që po kalon nga statusi i një sekreti të pazbuluar, në një pikë të rëndësishme të hartës turistike evropiane.