Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot se nuk ka asnjë sinjal që Rusia po përgatitet për paqe, teksa presidenti rus Vladimir Putin dhe ai amerikan Donald Trump mbërritën në Alaska për bisedime mbi përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në një postim në Telegram, Zelensky u shpreh me tone të ashpra:
“Ditën e negociatave, ata vrasin edhe njerëz. Kjo thotë shumë.”
Ai shtoi se lufta vazhdon, pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit nga Kremlini për t’i dhënë fund konfliktit:
“Nuk ka asnjë urdhër, as ndonjë tregues se Moska po përgatitet t’i japë fund kësaj lufte.”
Deklaratat vijnë në një moment kur Ukraina vazhdon të jetë në shënjestër të sulmeve ruse. Në Dnipropetrovsk, guvernatori rajonal Serhiy Lysak njoftoi se një burrë humbi jetën dhe një tjetër u plagos pas një sulmi me raketa në një zonë trafiku pranë qytetit të Dnipros, në Ukrainën lindore.
Ndërkohë, në qytetin Sumy në verilindje të vendit, një tjetër sulm rus goditi një treg në qendër të qytetit, duke shkaktuar një zjarr masiv. Autoritetet lokale po punojnë për të konfirmuar numrin e viktimave.
Samiti Trump-Putin në Alaska pritet të fokusohet në mundësinë e një marrëveshjeje që mund të çojë drejt përfundimit të konfliktit, megjithatë tonet nga Kievi mbeten skeptike.