Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Kinës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të rritur presionin ndaj vendeve që vazhdojnë bashkëpunimin tregtar me Rusinë.

Gjatë një deklarate këtë mërkurën, Trump bëri të ditur se do të dyfishojë tarifat ndaj Indisë në 50% deri në fund të muajit gusht. Sipas presidentit, India po ndihmon Moskën në luftën në Ukrainë përmes blerjes së naftës ruse.

Më vonë gjatë ditës, në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai u pyet nëse do të ndërmarrë hapa të ngjashëm edhe ndaj Kinës.

“Mund të ndodhë. Varet se si veprojmë,” u përgjigj Trump.

Ai shtoi se do të ketë më shumë tarifa dhe sanksione ndaj atyre që mbështesin Rusinë financiarisht përmes tregtisë së energjisë.

“Do të shihni shumë më tepër. Do të shihni shumë sanksione dytësore,” theksoi presidenti amerikan.

Nga ana tjetër, India dhe Kina, dy nga konsumatorët më të mëdhenj të naftës ruse, kanë reaguar duke mbrojtur vendimet e tyre ekonomike.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme indiane u shpreh:

“India do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj kombëtare.”

Masat e reja pritet të përshkallëzojnë më tej tensionet tregtare mes SHBA-së dhe ekonomive kryesore të Azisë.