Shkodër, 1 gusht- Seminari Mbarëkombëtar me Mësuesit e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë, ka bërë bashkë këtë vit mbi 250 mësues nga më shumë se 20 vende të botës, pjesëmarrja më e lartë ndonjëherë, çka dëshmon për rritjen e interesit dhe angazhimit institucional për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë. Seminari, i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, këtë vit zhvillohet me temën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare në epokën digjitale”, duke vënë theksin te sfidat dhe mundësitë që sjell teknologjia në mësimdhënien jashtë kufijve.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj përshëndetëse vlerësoi rolin e madh misionar që kanë mësuesit e gjuhës shqipe në shkollat tona në diasporë.
“Ky seminar është një platformë aktive mes jush për të promovuar, për të ruajtur, për të trashëguar gjuhën tonë të bukur shqipe. Ajo që ne shohim është që rrjeti ynë i mësuesve në diasporë është një rrjet që po fuqizohet dhe po rritet çdo vit, dhe ne sivjet në këtë seminar kemi më shumë mësues se një vit më parë. Ju jeni misionarë, të cilët keni zgjedhur të punoni fort për të trashëguar gjuhën tonë të bukur shqipe te fëmijët në diasporë.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja Manastirliu vuri në dukje edhe hapat konkretë që janë ndërmarrë gjatë këtij viti për fuqizimin e rolit të mësuesit në diasporë:
“Do të vijojmë mbështetjen me një program që po rezulton i suksesshëm dhe që kemi nisur pilotimin me mësues të gjuhës shqipe për Greqinë, ku tashmë janë 50 ose 80 mësues që mbështeten edhe financiarisht për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët në Greqi. Të mundemi ta shtrijmë këtë program edhe në vende të tjera. Një tjetër mbështetje e madhe për mësuesit, por edhe për nxënësit, janë tekstet e përbashkëta që po i shumëfishojmë vit pas viti. Ne kemi mundësinë sot që të kemi tekste të përbashkëta, të unifikuara për ciklet e mësimdhënies deri në klasën e 9-të.”
Ministrja Manastirliu tha gjithashtu se fokusi do të jetë edhe te edukimi në vazhdim për mësuesit e diasporës:
“Fokusi për ne do të jetë te mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, në mënyrë që jo vetëm të keni trajnimin dhe edukimin në vazhdim për të plotësuar të gjitha standardet që mësuesit duhet të kenë për kualifikimet e vazhdueshme. Ndaj, në Programin e Zhvillimit Profesional 2026–2028, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hartuar një komponent të veçantë që do të jetë edukimi në vazhdim për mësuesit e diasporës.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Seminari Mbarëkombëtar për mësuesit e diasporës zhvillohet çdo vit që nga 2007, me mbështetjen e dy qeverive shqiptare, dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një rrjeti të fortë mësuesish që punojnë jashtë vendit për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.