Mero Baze/

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri për vitin 2024 ka rrëzuar praktikisht praktikat bazë të punës së SPAK dhe drejtësisë së re në Shqipëri, që kanë të bëjnë me dy elementë kryesorë: arrestimet paraprake ende pa akuzë dhe intervistimin e të dyshuarve pa praninë e avokatëve, duke i shantazhuar ata.

Raporti ngre gjithashtu shqetësimin mbi mbajtjen e gjatë në paraburgim pa akuza dhe vonesat e konsiderueshme në proceset penale.

Të para në tërësi, rezervat kryesore të Raportit të Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri për vitin 2024 prekin veprimtarinë themelore të SPAK. E gjithë veprimtaria e SPAK mbështetet pikërisht mbi arrestimet paraprake, zgjatjen pa fund të hetimeve dhe intervistimet nën presion të të dyshuarve.

Natyrisht, raporti bazohet në të dhëna të marra nga burgjet shqiptare, ku përfshihet edhe Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK.

Duhet të kujtojmë se gjatë vitit 2024, viktimë e kësaj procedure ka qenë Ilir Meta, ish-President dhe ish-Kryeministër i Shqipërisë, lidhur me arrestimin paraprak pa akuzë dhe vazhdimin e procedurës për Sali Berishën. Ndërsa për sa u përket hetimeve, rasti i SPAK ka qenë hetimi nën shantazh i një rjeti bashkëpunëtorësh të dyshuar të Erion Veliajt dhe familjarëve të tij, ndaj të cilëve, sipas dëshmive të tyre, janë përdorur metoda terrori të cilat as nuk janë regjistruar dhe as janë marrë në prani të avokatëve.

Po ashtu, praktika e shëmtuar e shtyrjes pa fund të hetimeve ka ndodhur për Ilir Metën dhe Arben Ahmetajn, ndërsa dhjetëra qytetarë të zakonshëm, që nuk kanë zë dhe mbrojtje ligjore, kanë qenë viktima të hetimeve nga prokuroritë e rretheve nën të njëjtën frymë.

Pra, emëruesi i përbashkët i punës së Prokurorisë Speciale dhe asaj të zakonshme është mungesa totale e respektit për liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe injorimi i ligjeve shqiptare për hetimin dhe procedurat e paraburgimit, si dhe zgjatja e hetimeve.

Janë së paku dy arsye pse po ndodh kjo maskaradë. Arsyeja e parë është mbështetja pa kushte e Reformës në Drejtësi nga forcat politike dhe opinioni publik, që po keqpërdoret për revanshe personale, mllefe prokurorësh të frustruar dhe shpesh edhe hakmarrje politike të nxitura nga lënia në pushtet e njerëzve në drejtësi.

Së dyti, që duhet pranuar gjerësisht, nuk është mungesa e logjistikës dhe burimeve njerëzore, por paaftësia shembullore e prokurorëve për të hetuar dhe formuluar një akuzë.

Të gjitha çështjet ndaj politikanëve të lartë të nisura për dyshime për korrupsion kanë përfunduar në çështje hetimi absurde, në disa raste tepër spekulative dhe që nuk lidhin faktet me akuzën. Ky degradim i balancit të hetimit flet për paaftësi dhe mungesë profesionalizmi, dhe jo për mungesë burimesh njerëzore. Prokurorë kemi, por i kemi prokurorë që kanë kaluar vetingun dhe tani janë tërësisht jashtë kontrollit, falë edhe një institucioni të dështuar siç ka përfunduar ILD.

Fokusimi i Raportit të Departamentit të Shtetit për vitin 2024 tek këto fenomene, që në Shqipëri janë ende tabu dhe, po t’i prekësh, të akuzojnë se po sulmon drejtësinë e re, tregon se SHBA ka konstatuar para nesh defektin themelor të SPAK dhe prokurorisë në tërësi: injorimin prej tyre të të drejtave dhe lirive njerëzore në procesin e hetimit dhe paaftësinë e tyre shembullore, që tentohet të mbulohet pastaj me arrogancë dhe shantazh ndaj të dyshuarve.

E gjithë kjo praktikisht rrëzon mitin e SPAK si një institucion i aftë i drejtësisë së re, pasi rrëzon thelbin e veprimtarisë së tij – detyrën që të fitojë betejën me të dyshuarit brenda rregullave që ka caktuar ligji. Jashtë rregullave kemi pasur dikur një prokurori në kohë të komunizmit që ndiqte persona dhe pastaj u gjente faktet. Këta janë krijuar të ndjekin faktet dhe pastaj të dyshojnë për persona. Por kjo, me sa duket, nuk është aq e lehtë për ta, ndaj që të mos duken si të dështuar kanë vendosur të duken si Aranit Çela.