Departamenti i Shtetit Amerikan ka nisur një rishikim të plotë të mbi 55 milionë vizave të lëshuara për të gjithë të huajt që jetojnë aktualisht në SHBA.
Lajmin e raporton ekskluzivisht Associated Press.
Autoritetet kanë paralajmëruar se të gjithë ata që posedojnë vizë janë subjekt i kontrollit të vazhdueshëm, me vëmendje të veçantë ndaj çdo elementi që mund të justifikojë revokimin dhe deportimin. Fokus i veçantë do të jenë shoferët e kamionëve.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në një postim në “X” ka shkruar: “Me efekt të menjëhershëm, do të ndalojmë lëshimin e vizave të punës për kamionistët e huaj. Rritja e numrit të shoferëve të huaj te kamionët e mëdhenj rrezikon jetën e amerikanëve dhe minon të ardhurat e kamionistëve amerikanë.”
Që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, administrata ka marrë masa të ashpra dhe ka shtuar kërkesa të reja për aplikuesit për viza, përfshirë edhe detyrimin për të gjithë që të kryejnë intervista personale.
Rishikimi i mbi 55 milionë vizave përfshin kontroll të llogarive në rrjetet sociale, regjistrat policorë të vendeve të origjinës, si dhe çdo shkelje të ligjeve amerikane që mund të jetë kryer që nga transferimi në SHBA.