Mjeku i dashur Tritan Kalo ka treguar për miqësinë e veçantë të tij me kryeministrin Edi Rama, marrë shkas nga intervista e këtij të fundit për një media gjermane gjatë kësaj jave, kur rrëfeu dhunën barbare nga agjentët e SHIK-ut në vitin 1997.

“Edi Rama ka lindur në 4.07.1964 në Pallatin 18, Shkalla 1 në Rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku edhe unë banoja që prej Dhjetorit të 1962… Jemi fqinj të vjetër dhe disa shkaqe objektive e forcuan miqësinë tonë, sikundër edhe e kanë dobësuar atë….

Si mantelbardhë deri më tash i panjolltë e asistova mikun tim që të kapërcente ato javë të vështira të pas “masakrimit miqësor shikror”, sepse humanizmi i mjekut nuk njeh barriera as shoqërore dhe as politike…”, shkruan mjeku Tritan Kalo.

Mantelbardhi që u bë simbol i shpresës për shqiptarët gjatë pandemisë, tashmë në pension dhe i larguar në Kanada, tregon gjithashtu për herë të parë se gjatë rrëmujës së Marsit 1997, Edi Rama ndodhej në Paris i ofroi gruas së tij dhe dy vajzave të mëdha strehë për disa ditë në studion e tij.

“Vetë nuk pranova të largohesha me stafin e Ambasadës ku unë isha akredituar prej Ministrisë së Jashtme franceze si mjek personeli, me qëllim që të vijoja ofrimin e ndihmesës sime ndaj të sëmurëve të Shërbimit Infektiv në QSUT…

Në miqësinë me Edi Ramën ka patur, ka dhe do të ketë ditë plot diell por edhe plot vranësira e stuhi shiu, POR unë si Dr. Tritan Kalo as dje, as sot dhe as nesër nuk mundet të përziej në një enë të vetme Profesionin tim Humanitar, me dritë-hijet e sjelljes dhe të veprimeve Politike të kojshiut tim sot Kryeministri i vëndit…”, shkruan mjeku Tritan Kalo.