Kreu i PD Sali Berisha në një konferencë për mediat foli në lidhje me Daniel Shimën, ish-zëvendës drejtorin e AKSHI i cili humbi kontaktet me familjen për rreth 10 orë ditën e djeshme, duke thurur një skenar triller që vetëm ai është i aftë ta bëjë.

Sipas Berishës, Shima mund të përfundonte si Vis Martinaj.

“Personi i cili u shkarkua më 19 mars 2024 nga Mirlinda Kaçanai pasi kaloi një sesion të zgjatur pyetjesh në SPAK, episod pas të cilës e shkarkoi pa asnjë motiv.
Shima është në një vorbull ndërthurjesh interesash ndër më mafiozet. Ishte një person në qendër të ciklonit dhe që dinte çdo gjë”, tha Berisha.

Duke iu referuar Ahmetaj, Berisha u shpreh ish-zyrtari është kërcënuar nga Rama.

“Dje pasdite, Shqipëria, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, e tëra u përpi nga lajmi se ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ish-zyrtari i lartë i kërcënuar egërsisht nga Edi Rama sipas ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmertaj, për shkak të tenderëve familjare, personi, i cili u shkarkua si zëvendësdrejtor i përgjithshëm me datën 19 mars të vitit 2024, pasi famozja Mirlinda Karçanaj kaloi një sesion shumë të zgjatur pyetjesh në SPAK.
Dhe po atë ditë, pas atij sesioni, sikur të merrte urdhër nga SPAK, ajo e shkarkoi në vend pa dhënë asnjë motiv.
Ky është Shima, i cili është në një vorbull ndërthurjesh, interesash ndër më mafioze.” vijoi më tej ai.

Në fund, Berisha këmbënguli edhe një herë në variantin e tij:

“Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye.
Dhe se ai shpëtoi i gjallë falë atij instinkti që e shtyu t’i bënte një mesazh, një SOS, partneres së tij.
Përndryshe do kishim skena si ajo e Jan Prengës ose zhdukje si ajo e Ervis Martinit që nuk gjindet edhe sot e kësaj dite pa nam dhe nishan.” – përfundoi kreu i PD-së.

Këto deklarata të Berishës vijnë në një kohë kur Daniel Shima u shfaq dhe tha se ishte larguar në jug të vendit si pasojë e konfliktit me të dashurën.