I ftuar në emisionin “Ora e fundit” në ABC News, gazetari Ardit Rada u pyet nëse fëmijët e Sali Berishës janë një opsion për drejtimin e Partisë Demokratike.
Por sipas tij, kjo gjë ka mbi 20 vite që ndodh madje publikisht.
“Këtu nuk ka asnjë sekret, që de facto fëmijët e Sali Berishës e drejtojnë PD-në. Madje që në vitin 2005 kemi ato emërimet e shokëve të tyre si ministra, prefektë etj. Edhe vetë Lulzim Basha ka qenë mik i znj.Malltezi. Më pas prezenca e tyre në jetën politike është evidente. Kemi Shkëlzen Berishën që përplaset me Gazment Bardhin. Kemi Jamarbër Malltezin që sulmon qeverinë politikisht edhe pse s’ka asnjë post zyrtar në opozitë.
Kemi Argita Malltezin që po ashtu, pa asnjë pozicion politik de iure, del në intervista televizive për orë të tëra. Dhe vetë Berisa nuk i ka penguar asnjëherë madje i ka promovuar. Është i vetmi politikan që parakalon me të gjithë familjen si në ditën e zgjedhjeve kur shkon të votojë, ashtu edhe kur mban ato kongreset a këshillat kombëtarë që mbledh PD-ja. Kështuqë nuk kemi pse habitemi nëse i shohim edhe më aktivë apo me ambicie të qarta edhe për ta drejtuar PD-në një moment” – tha Ardit Rada për ABC News.