Një akt që ka prekur të gjithë. Një punonjës policie është kthyer në hero, teksa ka arritur të shpëtojë disa qytetarë të përfshirë në një aksident të rëndë një ditë më parë në aksin rrugor Levan Fier.

Guximi për t’i ardhur në ndihmë të plagosurve nuk ka munguar, 26-vjeçari ka nxituar menjëherë edhe pse makina ishte përfshirë nga flakët, ai arriti të nxjerrë nga automjeti të lënduarit të cilët më pas u transportuar në spital. Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook pamjet nga momenti kur punonjësi i policisë nxjerr të plagosurit nga automjeti, ndërsa e vlerëson për forcën e madhe dhe shembullin e dhënë.

Reagimi:

Respekt

Kur një punonjës policie turpëron uniformën, me të drejtë të gjithë revoltohemi dhe padrejtësisht shumëkush shan të tërë policinë, por Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, po nga mijëra burra, djem e vajza që punojnë me përkushtim, në mes të të cilëve ka edhe heronj si Agim Troci, i cili u hodh në zjarr për të shpëtuar nga zjarri të tjerët apo si Klajdi Mustaj, të cilit i jemi të gjithë mirënjohës për forcën e madhe të shembullit në shpëtimin e tre qytetarëve të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor
Levan-Fier

Ndërkohë për këtë akt guximi dhe përkushtimi në shërbim të jetës së qytetarëve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i akordoi punonjësit të Policisë Rrugore, Inspektor Klajdi Mustaj, Certifikatën për Shërbime të Dalluara!