Nga Trëndafile Visha/

Ndonjëherë të shtunat si dua hiç, ndonjëherë i dua shumë…
E djeshmja?!
Ah ç’ditë e madhe për demokracinë!
(Ah ç’kafe e idhët pelin për t’u pirë te lokali i Likut, mu përballë News 24…!)

Dje, shteti ynë i dashur, i fortë, trim dhe me biceps kushtetues, vendosi të tregojë se kush komandon: rrethoi godinën e Televizionit News 24, sepse, mesa duket, ishte dita për të bërë provën generale si në filmat aksion.
Sigurisht, pati reagim masiv të gazetarëve, që si rrallëherë pas dekadash zbuluan fjalën “solidaritet”. Si në një film bardh e zi ata dolën në skenë për të mbrojtur “lirinë e fjalës”, atë fjalë që rastësisht, e kanë përdorur për 35 vite vetëm kur u është djegur çatia e vet.

E çuditshme… ku ishin kolegët e mi, kur Irfan Hysenbelliu, ky shkelës kronik i ligjit në tregun e medias (se mos vetëm ai), i kthente gazetaret në skllevër modernë?
Kur pagat vonoheshin (vonohen) me muaj?
Kur sigurimet shoqërore nuk paguheshin (nuk janë paguar prej 2 vitesh)?
Kur gazetarët paguanin (paguajnë) “nën dorë” për të regjistruar fëmijët në çerdhe a në kopshte?
Kur privoheshin të merrnin kredi (privohen) ? Heshtje. Heshtje e gjatë, e thellë, e turpshme.

Po shteti?
Ai i dha Irfanit një liri të artë; – lirinë për të bërë ç’të donte me punonjësit e mediave dhe të bizneseve të tjera në pronësi të tij. Tatimet (ky një institucion kaq i shigjetuar në media për korrupsion ndër vite), përveç një gjobe sa për sy e faqe, nuk morën asnjë masë. Sepse shteti dhe oligarku ishin (janë) si dy sy të së njëjtës fytyrë: njëri mbyllet, tjetri shikon anash.

Unë e di shumë mirë, sepse e kam përjetuar mbi shpinë këtë “bashkëjetesë” shtet–oligark.
Unë, modestja guxova para një viti të sfidoj padrejtësinë. Vetëm se atëherë padrejtësia quhej “punëdhënësi”. Çfarë ndodhi?
– Më kyçën derën e godinës ku kisha punuar 23 vite. Shkarravitën librezën time të punës me “braktisje detyre”, ndërkohë që detyrën e kishte braktisur pronari prej 6 muajsh pa më dhënë pagën.
Faji im?!
Kërkova të paguhesha për punën time, të më llogaritej vjetërsia, të më paguheshin sigurimet. Ky ishte krimi im…?
Dhe shteti?!
Shteti thjesht pa nga dritarja tjetër; – vendosi të mos më prishte “rehatinë”…

Tani, që shteti i tregoi muskujt Irfanit, ashtu si Irfani ua ka treguar dhjetëra e dhjetëra gazetarëve papritur kthehemi në Spartakë me mikrofon në dorë. Të gjithë dalin në shesh për “të drejtat e tyre”, pa përmendur se për
dekada kanë pranuar t’ua shkelin të drejtat më elementare.

Ndërsa shoh këtë revoltë kolektive, më duket sikur jam në një teatër absurd:
ku në aktin e parë, oligarku shkel gazetarët;
në aktin e dytë, shteti godet oligarkun (pasi e ka lënë atë që të mbush e të derdh kupën duke sfiduar ligjin);
dhe në fund, të gjithë dalin në skenë të përqafuar, duke recituar monologun “Liria e shtypit”.
Ndërsa shoh këtë revoltë, më dhemb, më dhemb shumë hipokrizia e reagimit.

Nuk di ndonjë vend tjetër në Europë ku të luhet një teatër i tillë, ku të drejtat e gazetarëve të shkelen kaq hapur, dhe ku vetë gazetarët ta kenë pranuar këtë shkelje si normalitet.
Kjo është Shqipëria: vendi ku liria e shtypit ngatërrohet me lirinë për të shtypur.

PËRSE HESHTA DJE?

– Respektova veten, kolegët, profesionin, ndonëse Tjetra ime më thoshte me ngulm: reago, reago tani!
Heshta pasi më duhej (t) që në peshore të vë gjithë situatën e krijuar, të cilën e shoh në dy nivele paralele:

1. Veprimi i shtetit – mbyllja pa paralajmërim (duhej bërë një njoftim publik) e sinjalit të transmetimit të një prej televizioneve më të mëdha në vend
(sidomos pa transparencë dhe pa ezauruar procedurat ligjore) është një precedent shumë i rrezikshëm për lirinë e medias. Është një sinjal presioni, jo vetëm për atë televizion, por për të gjithë spektrin mediatik. Nga ana tjetër, prona për të cilën shteti dhe Irfan Hysebelliu i tregojnë muskujt njëri-tjetrit; – ku shteti deklaron se është pronë shtetërore dhe se aty do të ngrihet fabrikë armësh, e ndërsa Irfani luan me kartën e kontratave të qirasë, dihet nga të gjithë gazetarët se është në pronësi të banorëve të Shkozës. A nuk është krim, që pronarët e vërtetë të pronës shohin teatrin që luhet para syve të tyre. Gazetarët e News 24 janë dëshmitarë, se si Lik Kasharit, një nga pronarët e tokës për të cilën grinden balozët, i ndalohej të parkonte makinën jashtë portës së News 24, në tokën e tij. Atë kohë e në gjithë kêtë kohë, të gjithë ne gazetarët bënim sehir, edhe pse pinim kafe çdo ditë te lokali i Likut. Të bësh duel ne ring për tokën që ju është vjedhur pronarëve të ligjshēm është e turpshme në radhë të parē për shtetin e pastaj për oligarkun Irfan Hysenbelliu, cili që nga viti 2022 është njoftuar në vijimësi për lirimin e ambienteve. Kolegët e mi dinë mirë këtë fakt. Por në këtë shfaqje të turpshme të humburit e mëdhenj janë ata, pasi janë flakur nē rrugë të madhe. 230 punonjës jo vetëm rrezikojnë vendin e punës, por rrezikojnë të mos marrin as rrogat e prapambetura dhe sigurimet shoqërore të pa paguara nga pronari i tyre i papërgjegjshëm.

2. Historia e pronarit Irfan Hysenbelliu është një shembull i modelit të pronarit që i sheh gazetarët si “mjet pune”, jo si profesionistë me të drejta të plota. Mos-pagesa e sigurimeve shoqërore, vonesat e pagave, presioni për të heshtur, këto janë shkelje të drejtpërdrejta të ligjit dhe etikës.
(Një detaj interesant: prej vitesh, për çdo muaj deri ditën e djeshme është kënduar në kompaninë e Irfanit, është kthyer në hit refreni i këngēs: – ēshtë hedhur rroga?
S’është hedhur rroga?
Po pse…?
Po kur…?
Po kam qira…,
Po kam kredi…,
Po s”kam shtëpi…)
…(nëse do hapje WhatsApp e gazetarëve që kanë punuar dhe punojnë në kompanitë mediatike të Irfanit, refreni i këngës për rrogat e fundmuajit do bëhej virale.
(Ky refren tronditës, thua se shteti ka vdekur, këndohet dhe në televizione të tjera, që nuk harrojnë t’i bëjnë qokën Irfanit.

– Nëse do të reagoja dje, pa dashje ose me dashje reagimi im do “ngatërrohej” në publik si mllef personal.
Do ngjante se “fishekun në pajë” e kisha ruajtur për individin (Irfanin), dhe jo për shtetin tim të dashur që flirton, bashkëpunon me oligarkët në kurriz të qytetarëve.
Shteti im i dashur ishte (është) në dijeni se Irfan Hysenbelliu është një ndër mëkatarët e mëdhenj të tregut, por në vijimësi mbyllte sytë, ose më e shumta e pickonte sa për t’i thënë: “Hej ti”!
Shteti im i dashur kërkonte (kërkon) që “gështenjat nga zjarri” t’i nxirrte (nxjerrin) me duart e të tjerëve.
Ç’hipokrizi!
Ç’tallje trapi!

Në një vend ku presupozohet se ka shtet dhe funksionon ligji, nuk krijohen situata të tilla absurde,
nuk mbijnë nga hiçi oligarkë që tallen me djersën e dinjitetin e gazetarëve.
Dhe gazetarët, të cilët nëpërkëmben nga mëngjesi në mbrëmje e heshtin, ta kursejnë frymën për të bërtitur për “të drejtën kushtetuese”, për “fjalën e lirë”.
Një gazetar që nuk mbron të drejtat bazike të tij, nuk mund tē mbroj të drejtat e qytetarëve të këtij vendi.
Si mundemi, si, të pretendojmë për një qeverisje më të mirë, për një të ardhme më të mirë në Shqipëri?!
Unë solidarizohem me kolegët e mi, por ata duhet të nisin të bëjnë ndryshimin nga vetja. Respekti nuk kërkohet, fitohet. Gazetarët
Duhet ta fshijnë nga memoria e tyre atë thënien prej skuthi: “larg nga b**** ime”!

…ose, ose…shëtttt, shëttt…
Çudia më e madhe në këtë vend tri ditë zgjat.