Nga Ardian Vehbiu

Më pikëlloi fort lajmi për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit – “bashkëfshatar” imi nga rruga e Durrësit dhe nga shkolla Avni Rustemi, dhe më pas miku që e pata sidoqë shpesh në distancë. Përveçse patëm ndarë të njëjtët shokë dhe rrethe sociale, patëm bashkëpunuar për ndonjë projekt të tijin me Radio Radicale, kur ai jetonte në Romë dhe unë në Napoli. Më pas e kam ndjekur me interes të madh kontributin e tij për çështjen e Kosovës dhe në përgjithësi për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në Jugosllavinë që po shpërbëhej; por jo vetëm – sepse Zheji ka mbuluar Shqipërinë, për atë Radio, edhe në vitet 1990, përfshi edhe periudhën kaotike të vitit 1997.

Por iu larguam njëri-tjetrit dhe nuk mbaja më lidhje me të, përveçse ia lexoja editorialet që botonte në faqen 360 gradë; ishte fort i zoti në atë që bënte, mund të kish bërë diçka më shumë. Sot kalova kohë duke lexuar eulogjitë, formale dhe më pak formale, të kolegëve dhe miqve të vet – për të konstatuar sërish se ne, si kulturë, jemi vërtet nekrofilë, por të vdekurin nuk dimë ta trajtojmë me respektin që meriton; dhe këtu me respekt kam parasysh edhe virtytin për t’ia kursyer dikujt gjepurat dhe bombastin. Ndoshta është herët, ndoshta nesër do të lexoj gjëra më të plota, të paraqitura më denjësisht.

Arturi kishte shumë vjet karrierë si gazetar, si publicist, si figurë televizive; por nuk vura re që ndonjë institucion t’ia kish ndjekur veprimtarinë vit pas viti dhe të ishte gati për t’ia prezantuar meritat për publikun. Në një kohë që sot, të duash të kërkosh, gjen akoma online regjistrime të reportazheve dhe intervistave të tij për Radio Radicale-n, ku punonte dikur. Me siguri ka lënë gjurmë të thella kudo ku ka punuar, por këto gjurmë dikush duhet t’i kish arkivuar, regjistruar dhe mapuar për vëmendjen e publikut.

Sërish kthehemi te mënyra si duhet të flasim për dikë që ikën. Që ikën dhe nuk na dëgjon më. Disa inkompetentë, sot paradite, sillnin për lexuesit raportet e policisë nga Saranda, të thuash se ishte fjala për ndonjë krim që duhej zbardhur. Të tjerë kishin hedhur në dorë ndonjë CV të Arturit dhe ia radhitnin mekanikisht vendet ku kishte punuar, si të ishin duke ia shkruar faqen në Wikipedia. Miq të afërt të Arturit flisnin me zemër, por pa i pasur në dorë informacionet e nevojshme.

Dhe meqë përmenda “faqen në Wikipedia”, po shtoj edhe se te kjo faqe, Arturi prezantohet si “i biri i euriditit” Petro Zheji (vëreni si është shkruar fjala); dhe atje përmenden ofiqet e të ndjerit, drejtor këtu e drejtor atje, por jo për kontributin e tij të mirëfilltë, që nuk ka qenë i pakët, në gazetarinë dhe publicistikën shqipe (pa folur për dramaturgjinë). Asnjë fjalë nuk thuhet për vitet e tij në Radio Radicale – e cila ka qenë një media politike e dorës së parë në Italinë e viteve 1970-1990 e mbase edhe më pas; dhe veçanërisht aktive në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë e të krizave në Shqipëri.

Prisja që një koleg i Zhejit, nga Kosova dhe Shqipëria, të shkruante diçka për angazhimin e tij serioz, konsistent dhe të nivelit të lartë në favor të shqiptarëve të Kosovës dhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së tyre si pakicë brenda një shteti tashmë të vdekur dhe si shkelje e të drejtave të njeriut; jo ta përmendte, siç po bëj unë këtu ngaqë nuk kam informacion tjetër – por të përshkruante, ta analizonte, ta vinte në kontekst. Jam habitur që asnjë institucion a organizatë gazetarësh, në Shqipëri, nuk i ka mbledhur dhe as arkivuar këto informacione për të vetët; ose, nëse i ka, nuk gjykon se duhej t’i sillte në vëmendje pikërisht tani.

Edhe një herë, u desh një vdekje që të më kujtonte se ne, si kulturë, nuk dimë t’i kujtojmë njerëzit e shquar; dhe mbase gënjehemi se një ceremoni varrimi madhështore me britmat ngashëryese “lamtumirë miku im!” mjaftojnë për ta përcjellë të ndjerin. Për të njëjtën arsye, ne përfytemi vit pas viti për “pardesytë” e 1990-ës dhe emrat e atyre që “ishin” e që “nuk ishin” te kjo apo ajo mensë, por ende nuk vëmë në dispozicion – të lexuesit, të studiuesit – shtypin aq të gjallë, dinamik dhe intelektualisht të pasur, të viteve 1990. Prandaj edhe ky lexues e ky studiues e ka më të lehtë të shfletojë ndonjë broshurë të dorës së tretë e të katërt, të 100 vjetëve më parë, se ato media të shkruara, të cilat iu përveshën ballazi politikës, në vitet e para të themelimit të pluralizmit në Shqipëri. Arturi ishte korrespondent i Radio Radicale-s edhe gjatë atyre viteve – dhe ka folur e shkruar nga Tirana, në kohën kur edhe Shqipëria vetë rrezikonte luftën civile, anarkinë dhe shpërbërjen.

Po të isha gazetar, do të ndihesha i nëpërkëmbur dhe i përdhosur; dhe, për ta kujtuar kolegun tim Zheji me nder e dinjitet, përtej muhabeteve shpesh pa bukë të emisionit 360, do të kisha shkuar të dëgjoja me dhjetëra e dhjetëra intervistat, reportazhet dhe ndërhyrjet e tij, gjatë viteve 1990; mbase ka ende kohë për të bërë diçka.

Peizazhe të fjalës & Tema