Nëse ligji nuk vepron dhe ndëshkon, i nxit më shumë shkelësit apo inkurajon që të vijojnë në praktikën e tyre të kundravajtjes penale.

Kjo shpjegon edhe faktin se po të udhëtosh me avion dhe të shohësh mbi Shqipëri, sheh vetëm tym dhe zjarre mbi kazanë plehrash, mbetjesh, mbeturinash në ara e pyje. Ai e quan një “papërgjegjshmëri totale si shoqëri”.

Kështu shprehet Kreshnik Spahiu mbi ‘sindromën’ shqiptare apo fenomenin që e cilëson mesjetar.

“Kemi ligje për ambientin dhe mbetjet, madje po të kalosh me avion mbi Shqipëri, shikon vetëm tym, djegie mbetjesh në kazanë e sheshe, bahçe e fusha, sheh vetëm tym dhe zjarr. Por përderisa kemi deri në heqje lirie për ndotje ambienti, deri më sot ligji nuk ka gjetur në asnjë rast zbatim. Mblidhet Parlamenti, bëhet zhurmë deri në BE se kemi bërë ligj për ambientin e mburren, por nga ana tjetër vijon djegia e kazanëve e mbeturinave. Unë mendoj se ka një papërgjegjshmëri totale si shoqëri, që vjen si pasojë e mosrespektimit të ligjit dhe kuadrit ligjor, që në fakt është ligj europian, por që s’ka gjetur në asnjë rast ekzekutim. Djegia e kazanëve, një fenomen shqiptar në fshatra apo periferi qytetesh. Shifrat 90% të zjarrvënieve mendoj se vijnë kryesisht ngaqë nuk zbatohet ligji”, shpjegon ai për Report Tv.

Dhe më tej analizon logjikën e kuadrit penal për këtë rast dhe si favorizon ajo psikologjikisht kundravajtësit apo i ‘trimëron’.

“Ka logjikë në kuadrin penal, kur nuk ndëshkon kundravajtjen, apo nuk e dënon atë, ti nuk ke autoritet ndaj saj, pra të gjitha institucionet. Jam për ashpërsimin e Kodit Penal, a duhen dënuar me burg përjetë? Absolutisht që po”, vijon juristi.

Në fund ai këshillon më shumë investime në teknologji me pajisje për të parandaluar zjarret apo sinjalizuar këto vatra të nxehta.

“Por edhe teknologjia ka ecur, por çfarë u bë me dy Satelitët “Albania 1 dhe 2”, që kanë si objektiv kryesor pikërisht monitorimin e territorit për zjarret, a është aplikuar kjo, a është kryer kontrolli për paralajmërimin e zjarreve. Një tjetër favor në kohën e teknologjisë është edhe fakti se ato janë të lira, pra sensorët, satelitët, kamerat, kushtojnë më lirë, pra ta krijon mundësinë që ti t’i kesh dhe të kontrollosh, t’i vësh në punë ato dhe t’i parandalosh zjarret”, përfundoi Spahiu.