Kampi opozitar po përjeton një krizë të thellë politike që pas humbjes historike të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku mazhoranca gati sa nuk ka siguruar shumicën e cilësuar.
Në vorbullën e tensioneve të brendshme, ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka vijuar me kritikat e tij ndaj drejtimit aktual të PD-së. Pas lënies jashtë listës së sigurt nga kreu i selisë blu Sali Berisha, në zgjedhjet e 11 majit, Spaho po e shpreh hapur pakënaqësinë në rrjetet sociale.
Në reagimin e tij të fundit, në profilin personal në rrjetin social Facebook, ai theksoi se opozita duhet të jetë e pranishme në Parlament dhe të shkëputet nga “mentaliteti primitiv i bojkotit dhe përballjes fizike me mazhorancën”.
Sipas Spahos, “opozita duhet të ofrojë alternativa për problemet e shoqërisë, duke u kthyer në një forcë reale konkurruese”.
Ai nënvizoi se ndryshimi i lidershipit është kusht i domosdoshëm për të garantuar një qasje të re politike.
Reagimi i Edmond Spahos në Facebook:
“Opozita duhet të jetë në Parlament. Ajo duhet të shkëputet nga mentaliteti primitiv politik i bojkotit dhe përballjes fizike me maxhorancën në Parlament.
Ajo duhet të jetë alternative zgjidhjesh për problemet me të cilat përballet shoqëria jonë.
Ndryshimi i lidershipit për të garantuar ndryshimin në qasjen politike është imperativ”.