Në një letër drejtuar kreut të shtetit ukrainas, Spiropali thekson se ky vlerësim është një shenjë respekti ndaj qëndrimit të Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës në një kohë të vështirë.

“Ky qëndrim buron nga zemra e çdo qytetari shqiptar, nga besimi ynë tek liria, dinjiteti dhe e drejta e një kombi për të jetuar i pavarur dhe për të vendosur vetë për të ardhmen e tij,” shkruan Spiropali.

Ajo rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur Ukrainën në bashkëpunim me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe të gjithë aleatët demokratikë, në përpjekjet për ndalimin e luftës dhe arritjen e paqes.

“Uroj dhe besoj vendosmërisht se shumë shpejt do të festojmë fitoren e plotë të Ukrainës ndaj agresorit,” përmbyll ajo mesazhin për Zelensky.

Nëpërmjet letrës së postuar në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se “e përjetova me mirënjohje dhe emocion nderin e lartë të “Urdhrit Shën Olga, Klasi i Parë, që është akorduar nga Shkëlqesia Juaj, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës”.

“Ky vlerësim në emrin tim është mbi të gjitha shenjë respekti për kontributin dhe qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës në këtë kohë të vështirë”.

“Populli shqiptar, Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe mbeten të bashkuar e të vendosur në mbështetje të Ukrainës. Ky qëndrim buron nga zemra e çdo qytetari shqiptar, nga besimi ynë tek liria, dinjiteti dhe e drejta e një kombi për të jetuar i pavarur dhe për të vendosur vetë për të ardhmen e tij”, shkruan Spiropali.

Gjithash Spiropali shkruan se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një zë i qartë e i fuqishëm në mbrojtje të parimeve dhe vlerave demokratike euroatlantike.

“Ne do të vijojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës, ashtu si deri tani. Do të mbështesim të gjitha përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Presidentit të SHBA-së, udhëheqësve europianë, NATO-s dhe botës demokratike për ndalimin e luftës dhe vendosjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë”, shkruan Spiropali.

“Ju falënderoj për nderin e jashtëzakonshëm. Uroj dhe besoj vendosmërisht se shumë shpejt do të festojmë fitoren e plotë të Ukrainës ndaj agresorit”, e përmbyll reagimin kryeparlamentarja Elisa Spiropali.